Gjendet kokainë në anijen me qymyr në Durrës, vinte nga Kolumbia

Gjendet kokainë në anijen me qymyr në Durrës, vinte nga Kolumbia

Kronika May 17, 2022 - 11:00

Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm është shënuar një tjetër rast i trafikimit të drogës në Portin e Durrësit.

Burime bëjnë me dije se është sekuestruar një sasi e konsiderueshme kokaine në hambarin e një anije me qymyr që po vinte nga Kolumbia.

Mësohet se anija është e “Unistream”-it, me flamur të Antigua Barbuda nga Ishujt Karaibe dhe sasia e kapur ende nuk është peshuar. Nuk dihet ende nëse ka të arrestuar, ndërsa raportohet se kanë qenë partnerët ndërkombëtarë që kanë sinjalizuar Policinë Shqiptare për sasinë e drogës dhe më pas është kryer edhe operacioni nga Task Forca e Durrësit që ka zbuluar kokainën në anijen që sillte qymyr nga Kolumbia.

Anija është nisur nga porti i Barranquillas në Kolumbi më 26 prill, në orën 11:32 dhe ka mbërritur në Portin e Durrësit më 16 maj, pra një ditë më parë, në orën 08:32. /A2