Arrestohet një person në Prishtinë me identitet të dyfishtë

Arrestohet një person në Prishtinë me identitet të dyfishtë

Kronika January 25, 2022 - 18:49

Policia e Kosovës sot ka realizuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë për kontrollimin e një banese me lokacion në Prishtinë.

Gjatë kontrollimit të banesës është hasur një person i cili i kishte në posedim dokumente identifikuese personale me fotografi të njëjtë, por me të dhëna të ndryshme.

"Dokumentacionet në fjalë ishin një pasaportë dhe një letërnjoftim i RKS-së me të dhënat e emrit-inicialet (M. S.), kurse dokumenti tjetër ishte një letërnjoftim i një shteti tjetër me të dhënat e emrit-inicialet (M. M.). Personi i lartcekur kishte në posedim veturë me targa të një shteti tjetër dhe i njëjti nuk posedon leje të vozitjes. Gjatë kontrollimit të këtij personi janë gjetur sende të dyshuara që gjatë hetimit të mëtutjeshëm mund të lidhen me veprimtarinë e dyshuar të këtij personi", njofton policia.

Në këtë fazë, policia thotë se ky person dyshohet për veprën penale "Legalizim i përmbajtjes së rreme" dhe "Falsifikim i dokumentit", sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.

Gjatë kontrollimit të banesës dhe veturës janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht: • Aparat për detektimin e kamerave dhe senzorëve; • 2 (dy) thika; • 1 (një) shtëpizë kompjuteri; • 7 (shtatë) telefonë celularë të llojeve të ndryshme; • Kartela telefoni të shtetit të Serbisë dhe të RKS-së; • Para kesh me vlerë 2675 (dy mijë e gjashtëqind e shtatëdhjet e pesë) euro; • Lira turke me vlerë 45; • Dokumente të identifikimit të dyshuara të falsifikuara: Letërnjoftim i një shteti tjetër, Pasaport dhe leternjoftim i RKS-së; • Faktura të ndryshme, fletore per evidenca; • Vetura Renault Clio me targa të huaja;

Me aktvendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve. /Zëri