Si pasojë e ngricave Golfi bie në hekurudhë, gjobiten shoferi dhe mirëmbajtësi i rrugëve

Si pasojë e ngricave Golfi bie në hekurudhë, gjobiten shoferi dhe mirëmbajtësi i rrugëve

Kronika January 25, 2022 - 14:34

Në mëngjesin e sotëm ka ndodhur një aksident trafiku në rrugën “Tahir Sinani” në Ferizaj, ku u përfshi vetëm një automjet civil i udhëtarëve “VW Golf II”, me targa vendore.

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor i ka marrë veprimet e nevojshme për ta hetuar këtë aksident.

“Deri tek aksidenti dyshohet të ketë ardhur kur automjeti ‘VW Golf’ ka lëvizur nga rruga ‘Dëshmorët e Kombit’, në drejtim rrugës ‘Tahir Sinani’, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit dhe kushtet e rrugës me ngrica, nuk mund të ndalojë, del jashtë rrugës dhe përfundon në hekurudhë, ku veç dëmeve të shkaktuara materiale, lëndime trupore pëson shoferi i automjetit me inicialet R.H. (M/K), 21-vjeçar, i cili ka pranuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në lidhje me këtë, Policia e ka gjobitur shoferin me 250 euro, ndërsa në anën tjetër “ka iniciuar edhe një fletëparaqitje ndaj personit që i është besuar të mirëmbajë rrugët nga kompania përkatëse, me inicialet P.B. (M/K) 40-vjeçar sipas Ligjit të komunikacionit rrugor, nga Neni 202.2, prej 200 eurove”.

Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj apelon te shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë e kufizuar të lëvizjes dhe të përshtatin shpejtësinë në raport me kushtet e rrugës, me qëllim parandalimin e aksidenteve.

“Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e pjesëmarrësve në komunikacion”, përfundoi Policia. /Zëri