Tre muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë ndaj të akuzuarit për mashtrim me viza

Tre muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë ndaj të akuzuarit për mashtrim me viza

Kronika January 19, 2022 - 14:39

Adem Qukovci është dënuar me tre muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë për veprën penale “Mashtrimi”.

Në këtë rast, Qukovci po akuzohet se ka mashtruar të dëmtuarit, duke u premtuar se do t’ua rregullojë vizat kroate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të mërkurën nga gjykatësja Drane Simani, në Gjykatën Themelore në Gjilan, Dega në Viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej tre muajve nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri në afat prej dy vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërsa, dënimin me gjobë prej 400 eurove i akuzuari detyrohet ta paguajë në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në rast të mospagesës, dënimi me gjobë do të zëvendësohet në dënim me burgim konform nenit 43, paragrafi 3 të KPRK-së, ku për një ditë burgim do t’i llogaritet shuma prej 20 eurove.

Sipas aktakuzës së ngritur më 15 shkurt 2019, Adem Qukovci në dhjetor të vitit 2018, te “Viva Fresh” në Viti, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me paraqitje të rreme të fakteve, e vë në lajthim të dëmtuarit Skender Ajeti, nga i cili ka pranuar 400 euro, si dhe vëllain e tij Xhafer Ajeti, nga i cili ka pranuar 350 euro.

Në aktakuzë thuhet se këto shuma i ka marrë me pretendimin se do t’ua rregullojë vizat kroate, derisa Milaim Ajetit ia ka marrë 500 euro, kinse për rregullimin e statusit të veteranit të luftës në Kroaci dhe në këtë mënyrë të dëmtuarit i ka dëmtuar në shumat e cekura si më lart.

Me këtë thuhet se ai e kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga Neni 354, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi