Helmim masiv i qëllimshëm i qenve endacakë në Korçë, reagon kryetari i bashkisë
Foto: Ilustrim

Helmim masiv i qëllimshëm i qenve endacakë në Korçë, reagon kryetari i bashkisë

Kronika January 14, 2022 - 21:09

Bashkia e Korçës ka reaguar në lidhje me helmimet masive të qenve në rrugët e qytetit të cilat dyshohet se janë bërë në mënyrë të qëllimshme.

Me anë të një deklaratë publike, kryetari i bashkisë, Sotiraq Filo dënon aktet e shëmtuara të helmimit të qenve, imazhet e të cilëve kanë qarkulluar sot në rrjetet sociale.  

Ai thotë se bashkia ka marrë masa dhe prej dy vitesh ka nisur një fushatë sterilizimi dhe vaksinimi për qentë endacakë.

"Duke e konsideruar shqetësues dhe të rrezikshëm për qytetarët  problemin e shtimit të qenve endacakë, prej dy vitesh Bashkia Korçë ka nisur një fushatë sterilizimi, vaksinimi dhe matrikullimi sipas legjislacionit në fuqi duke trajtuar deri tani në këtë mënyrë 345 qen endacakë, 225 gjatë vitit 2020 dhe 120 gjatë vitit 2021. Pas këtij procesi kafshët janë rikthyer në habitatet e tyre. Me qëllim zgjerimin e përmasave  të aksionit të sterilizimit, matrikullimit dhe vaksinimit që synon uljen e riprodhimit dhe rrezikshmërisë së qenve endacakë, bashkia kërkon bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjitha organizatave të mbrojtjes së kafshëve dhe individëve për kontribut njerëzor dhe financiar, krahas punës së bashkisë, si dhe fton ata qytetarë që kanë mundësi, që të bëjnë adoptimin dhe kujdesjen për një qen rruge".

Më tej, Filo thotë se imazhet e sotme nuk kanë asnjë lidhje me qytetarinë korçare dhe qëndrimin e bashkisë për këtë çështje.

"Imazhet e sotme nuk kanë asnjë lidhje me qytetarinë korçare dhe qëndrimin e bashkisë për këtë çështje. Ato synojnë veçse të shëmtojnë imazhin e Korçës".

Ditën e sotme të shumta kanë qenë reagimet e qytetarëve korçarë në rrjetet sociale, të cilët kërkojnë nga institucionet që të parandalohet ky fenomen, i cili përveç kafshëve të rrugës ka rrezikuar edhe kafshët e tyre shtëpiake. /Oranews