Raste të shumta të dhunës në familje edhe dje në Kosovë

Raste të shumta të dhunës në familje edhe dje në Kosovë

Kronika January 11, 2022 - 09:02

Rastet e dhunës në familje në Kosovë çdo ditë janë pjesë e raportit policor 24-orësh. Ditë më parë si rezultat i dhunës në familje një grua vdiq, pasi burri i saj shtiu me armë në të.

Dje në Prishtinë një grua ka sulmuar fizikisht bashkëshortin e saj, duke i shkaktuar lëndime trupore. Ajo është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, raporton “Zëri”.

Në Gjilan dy raste kanë ndodhur të ndara, ku një person ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe vajzën, teksa një tjetër ka sulmuar të dashurën e tij. Të dy të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.

Ndryshe ka ndodhur në Suharekë, kur përgjatë arrestimit të një personi që kishte ushtruar dhunë në familje, një polic e ka pësuar. Ai është sulmuar nga ai person me thikë në kokë. Gjendja e tij është stabile, teksa dorasi është arrestuar.

Në Dragash një grua nuk është lejuar të futet në shtëpinë e burrit të saj, pasi vjehrri e ka ndaluar, duke i thënë se është në procedurë divorci. Ajo është dërguar në strehimore.

Në Gjakovë një person, gjithashtu, ka përfunduar në pranga, pasi ka sulmuar bashkëshorten e tij.

E rasti i fundit i dhunës në familje vjen nga Leposaviqi, ku u arrestua një person që ushtronte dhunë psikike dhe fizike ndaj anëtarëve të familjes së tij.