21-vjeçari kapet në Kukës duke transportuar emigrantë drejt Kosovës “të paketuar” në bagazh [video]

21-vjeçari kapet në Kukës duke transportuar emigrantë drejt Kosovës “të paketuar” në bagazh [video]

Kronika December 01, 2021 - 14:39

Policia e Shqipërisë e ka arrestuar në Kukës një 21-vjeçar me incialet A,Gj., pasi që u kap duke bartur emigrantë.

Dy emigrantët u gjetën në bagazhin e veturës “Hyndai” dhe po transportoheshin për ta kaluar ilegalisht kufirin me Kosovën.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet në flagrancë 1 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës kanë vijuar kontrollet në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë emigrantëve të paligjshëm, për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së.

Si rezultat i kontrolleve u arrestua në flagrancë shtetasi A. Gj., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me një automjet tip “Honday”, emigrantë të paligjshëm, që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.