Arrestohen tre persona në Gjakovë, lëshonin teste COVID të falsifikuara

Arrestohen tre persona në Gjakovë, lëshonin teste COVID të falsifikuara

Kronika November 24, 2021 - 16:39

Policia e Kosovës, ka njoftuar se kishte filluar hetimet bazuar në informatën e pranuar se në një Laborator në Gjakovë lëshoheshin teste COVID të falsifikuara sipas dëshirës së klientëve dhe pa prezencën e personave që ju duhej vërtetimi.

Më tej thuhet se hetuesit policor kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Gjakovë kanë ndërmarr një sërë veprimesh të nevojshme hetimore-operative dhe në koordinim me Prokurorin kompetent kanë zbatuar Urdhrin e pranuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, duke aplikuar masat e veçanta të hetimit dhe përmes tyre kanë siguruar prova të mjaftueshme ku vërtetohet dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari me iniciale (A.Sh.) ka kryer veprën penale ,,Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ,,Falsifikim i dokumenteve” ndërsa të dyshuarit me iniciale (N.Sh.) dhe (S.P.) kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Ndërsa sot, me urdhër të gjykatës kompetente në Gjakovë në bashkëpunim me Inspektorët Shëndetësor nga Ministria e Shëndetësisë është realizuar një kontroll në Laboratorin në fjalë me pronar të dyshuarin me iniciale .Të dyshuarit janë arrestuar dhe në prezencë të Avokatëve mbrojtës janë intervistuar.

“Pas intervistimit është njoftuar Prokurori kompetent për të gjitha veprimet e ndërmarra dhe ndaj të dyshuarit (A.Sh) lëshon Aktvendim për ndalim 48 orë, ndërsa për të dyshuarit (N.Sh) dhe (S.P) vendos të lirohen në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë. /Zëri