Aktakuzë të pandehurit nga Rahoveci, që vrau vëllain për para dhe pastaj e dogji kufomën

Aktakuzë të pandehurit nga Rahoveci, që vrau vëllain për para dhe pastaj e dogji kufomën

Kronika November 24, 2021 - 15:44

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit G.K., për shkak të veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij, B.K.

“I pandehuri paraprakisht kishte njohuri se vëllai kishte një shumë të konsiderueshme të parave, të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës dhe ditën kritike, rreth orës 09:00, i pandehuri kishte shkuar në shtëpinë e tij, ku gjatë një bisede të përbashkët i pandehuri ishte fyer nga tani i ndjeri me pretekst se po i ndërhyn në familjen e tij. I revoltuar nga kjo i pandehuri kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e të ndjerit B.K., hyn brenda në shtëpi dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Gjykatës, “i pandehuri më pas e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e qet në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: dru, plastika, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh, i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit i hedh jashtë shtëpisë, në një vend deri tani të paidentifikuar, me qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit”.

Nga Gjykata kanë bërë të ditur se me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Po ashtu i dyshuari më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim, ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me Armët, në Republikën e Kosovës. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet më tej në njoftim.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës kompetente që i pandehuri G.K. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas igjit për veprat penale, të cilat i vihen në barrë. /Zëri