Aktakuzë kundër 4 personave që morën e dhanë ryshfet gjatë votimit në Kllokot

Aktakuzë kundër 4 personave që morën e dhanë ryshfet gjatë votimit në Kllokot

Kronika October 28, 2021 - 11:12

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.K., A.D., A.T. dhe Xh.B., për shkak të veprave penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit M.K. dhe A.D., më 16 tetor 2021, rreth orës 18:30 minuta, në Kllokot, kanë cenuar përcaktimin e lirë të votuesve, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të votuesit - tani të pandehurit Xh.B., në këmbim të votave.

Në një njoftim për media nga kjo prokurori kanë thënë se në këtë mënyrë të pandehurit M.K. dhe A.D. kanë kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.

“Ndërsa, i pandehuri A.T., i ka dhënë para në shumë prej 200 € të pandehurit Xh.B., me qëllim që i njëjti të siguronte 10 vota për kandidat për kryetar të komunës së Kllokotit. Me këto veprime i pandehuri A.T. ka kryer veprën penale ‘Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin’, të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj prokurorie, edhe i pandehuri Xh.B. akuzohet për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin”, pasi ka pranuar para në vlerë prej 200 € nga i pandehuri A.T. /Zëri