Arrestohet i dyshuari që u merrte qytetarëve deri në 5000 euro për viza Schengen
Foto: Ilustrim

Arrestohet i dyshuari që u merrte qytetarëve deri në 5000 euro për viza Schengen

Kronika October 27, 2021 - 18:12

Është arrestuar një person nën dyshimin e kryerjes se veprës penale “kontrabandim me migrantë”, i cili dyshohet se qytetarëve të Kosovës ju ka siguruar viza Schengen, në ambasadën e një shteti të huaj, në një shtet tjetër jashtë Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se i arrestuari është A.G., dhe sipas informatave, për sigurimin e një vize, viktimave u merrte shuma të ndryshme të parave, nga 3000 5000 euro, transmeton Zeri.info.

“Pas veprimeve të nevojshme ligjore nga Policia Kufitare e Kosovës dhe koordinimit edhe me autoritetet e shtetit respektiv, ku ndodhej ambasada e shtetit të huaj, sot më 27.10.2021 me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë është bërë kontrolli i shtëpisë dhe lokaleve përcjellëse të të dyshuarit, ku gjatë kontrollit janë gjetur dëshmitë si në vijim: një (1) revole 7.65 “Cr. Zastava”, tridhjetë e dy (32) plumba të revoles 7.65 mm, këllëf i revoles (Cr Zastava), një (1) revole Ekol Aras Magnum, trembëdhjetë (13) plumba me gaz të revoles Ekol Aras Magnum, një (1) iPhone 11 Pro Max, mbi gjashtë mijë (6000) euro para të gatshme, si dhe dinarë të Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e policisë.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të mbrojtësit të angazhuar sipas detyrës zyrtare dhe me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i njëjti dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore. /Zëri