Ahmeti jep versionin e tij të incidentit me Tovërlanin

Ahmeti jep versionin e tij të incidentit me Tovërlanin

Kronika October 27, 2021 - 00:18


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është deklaruar lidhur me një incident të ndodhur te shtëpia e tij.

U raportua se trajneri i futbollit, Afrim Tovërlani, e kishte kërcënuar Ahmetin, por se ky i fundit e ka dhënë versionin e tij.

Ahmeti thotë se në kohën e incidentit para shtëpisë së tij, nuk ka qenë prezent aty, ndërsa thotë se Tovërlani e ka telefonuar vetë policinë.

"Nuk ka pas kurrëfarë ballafaqimi fizik e as luftë më thika. Afrimin e njoh moti dhe e kam mik. Ka qenë mbrëmë të shtepia kur nuk kam qenë unë dhe e ka thirr vetë policinë e cila me të arritur e ka arrestuar.  Nuk ndihem as i kërcënuar e as i rrezikuar nga Afrimi edhe pse vizitat e vona në shtëpi kur nuk jam prezent dhe me fëmijë të mitur prezent nuk janë të mirëseardhura.  Mirëpo, nuk ka pas as fjalosje e as ndonjë fjalë të rëndë me fëmijet dhe familjen", ka thënë mes tjerash i pari i kryeqytetit.   

Ai tha se shpreson që këtë incident Tovërlani ta sqarojë e kalojë sa më lehtë me organet e rendit.  

"Duke e pas mik qe një kohë të gjatë nuk besoj që ka pas qëllim të sulmit apo kërcënimit", përfundoi Ahmeti.

Kujtojmë se Tovërlani për këtë incident është arrestuar nga polocia. /Zëri