Ua shiti banesën e njëjtë dy personave, pranon fajësinë se vuri në lajthitje të dëmtuarën dhe i shkaktoi dëm 20 mijë euro

Ua shiti banesën e njëjtë dy personave, pranon fajësinë se vuri në lajthitje të dëmtuarën dhe i shkaktoi dëm 20 mijë euro

Kronika October 20, 2021 - 14:02

I akuzuari për mashtrim, Bardhyl Ajazi, është deklaruar fajtor në seancën e shqyrtimit fillestar, e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ai akuzohet se banesën e njëjtë ua kishte shitur dy personave të ndryshëm.

I akuzuari Ajazi pranimin e fajësisë për veprën me të cilën ngarkohet e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Rukije Sheshivari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po, e ndiej vetën fajtor, jam penduar dhe i kërkoj falje”, deklaroi Ajazi.

Me pranimin e fajësisë u pajtua prokurorja Sheshivari, e cila i ka propozuar gjykatës me rastin e shqiptimit të dënimit të merret si rrethanë lehtësues pranimi i fajësinë dhe ka propozuar që në emër të dëmit të shkaktuar ta obligojë të akuzuarin t’ia kthejë shumën prej 20 mijë eurove të dëmtuarës Ismaili.

Gjithashtu e dëmtuara Qamile Ismaili u pajtua me pranimin e fajësisë dhe kërkoi që t’i kthehet shuma e mjeteve të paguara për blerjen e banesës ose t’i kthehet në posedim banesa.

Ajo gjithashtu kërkoi nga gjykata që të njëjtin mos e dënojë me burgim nëse i kthehet banesa e blerë ose mjetet e paguara për blerjen e saj, në rast të moskthimit i njëjti të dënohet.

Ndërsa, i akuzuari Ajazi u pajtua që të dëmtuarës t’ia kthejë shumën në bazë të një marrëveshjeje me të njëjtën.

Në këto rrethana, gjykatësi Adnan Kamberi mori aktvendim me të cilin aprovoi pranimin e fajësisë, ndërsa shpallja e aktgjykimit u caktua të bëhet nesër, më 21 tetor 2021.

Aktakuza e ngritur në nëntor të vitit 2019 ngarkon Bardhyl Ajazin se në qershor të 2013-ës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka vënë në lajthitje të dëmtuarën Qamile Ismajli, duke lidhur kontratë për t’i shitur banesën, e cila ishte në ndërtim e sipër në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e dëmtuara Ismaili për blerjen e banesës kishte paguar 20 mijë euro përmes bankës e që i akuzuari Ajazi më parë këtë banesë ia kishte shitur edhe personit tjetër Jetullah Grajqevcit, me ç’rast banesën e njëjtë ua kishte shitur dy personave të ndryshëm, ku të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro dhe si pasojë e kësaj kanë lindur edhe ngatërresa mes palëve të interesuara për banesën në fjalë.

Për këtë, Bardhyl Ajazi po akuzohet për veprën penale “Mashtrim”, nga Neni 335, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila është e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet, sipas Kodit që ishte në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale.