Policia arreston edhe katër persona të kërkuar për kontrabandë nga aksioni i së mërkurës, njërin e liron

Policia arreston edhe katër persona të kërkuar për kontrabandë nga aksioni i së mërkurës, njërin e liron

Kronika October 15, 2021 - 18:02

Policia e Kosovës ka kapur dhe intervistuar katër persona në kërkim policor lidhur me aksionin e 13 tetorit kundër kontrabandës me mallra në katër rajone të vendit.

Përmes një njoftimi për media, nga PK-ja kanë bërë të ditur se hetimet për aksionin e 13 tetorit kanë vazhduar, dhe për rrjedhojë, janë kapur edhe katër të dyshuar tjerë.

“Pas realizimit të operacionit policor në luftën kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës me mallra, të datës 13.10.2021 në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës Jugu dhe Mitrovicës Veri, ku ishin arrestuar tetë persona të dyshuar dhe shpallur në kërkim dhjetë persona tjerë të dyshuar, policia ka vazhduar hetimet intensive drejtë arrestimit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë të të dyshuarve që ishin në kërkim. Pas veprimeve operacionale dhe vendosjes në kërkim të personave të dyshuar, sot me 15.10.2021 hetuesit policorë kanë intervistuar edhe katër nga të dyshuarit që kanë qenë në kërkim policor”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit tre të dyshuar janë dërguar në mbajte, përderisa njëri nga të dyshuarit është liruar në procedurë të rregullt.

“Personat e intervistuar nga zyrtarët policorë janë: V.H., (1978), M.H., (1981), M.V., (1994) dhe A.N., (1982), të cilët pas intervistimit, me urdhër të prokurorit tre të dyshuar janë dërguar në mbajte, përderisa njëri nga të dyshuarit është liruar në procedurë të rregullt. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në vazhdimin e hetimeve intensive drejtë sjelljes para organeve të drejtësisë edhe të persona tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri