Rrahu nënën e tij, një muaj paraburgim personit në Ferizaj

Rrahu nënën e tij, një muaj paraburgim personit në Ferizaj

Kronika October 15, 2021 - 16:20

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.I., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulmi”.

Nga kjo gjykatë kanë njoftuar për media se “pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri më 13.10.2021, në Ferizaj, saktësisht në banesën e tyre, pas një mosmarrëveshjeje verbale me të dëmtuarën, nënën e tij, me dashje ka përdorur forcën fizike ndaj të dëmtuarës, në atë mënyrë që fillimisht e ofendon me fjalë banale, pastaj e godet me shuplakë në fytyrë e më pas duke e kapur për krahu i shkakton dhembje në trup, me ç’rast i shkakton dhimbje fizike, por e dëmtuara nuk ka kërkuar tretman mjekësor menjëherë pas incidentit, pasi ishte në gjendje të rëndë emocionale”.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij. /Zëri