Gjendet i gjallë biznesmeni italian që dyshohej se ishte djegur brenda automjetit të tij në Pukë
Foto: Euronews Albania

Gjendet i gjallë biznesmeni italian që dyshohej se ishte djegur brenda automjetit të tij në Pukë

Kronika September 18, 2021 - 09:13

Biznesmeni italian Davide Peccorelli i zhdukur prej 8 muajsh në Shqipëri, është gjetur i gjallë. Mediat italiane bëjnë me dije se 45-vjeçari është gjetur në Toskana, në një gomone në brigjet e Livornos.

Sipas asaj që shkruajnë mediat në Itali, ai kishte komunikuar në telefon me ish-bashkëshorten dhe kjo e fundit me babanë e 45-vjeçarit.

Pecorelli u zhduk pas mbërritjes në Shqipëri disa muaj më parë. Automjeti që ai kishte marrë me qira u gjet i djegur më datë 8 janar në njësinë administrative Reps të Pukës.

Nga këqyrja paraprake që u bë në brendësi të automjetit u gjetën mbetje kockash në ulësen e parë të cilat u dyshua se i përkisnin 45-vjeçarit, sende personale të tij si dhe disa produkte kozmetike.

Nga hetimet u zbulua se biznesmeni kishte lëvizur në qytete si Tirana, Shkodra, Puka dhe Vlora.

Davide Pecorelli, një sipërmarrës Italian në pronësi të të cilit rezultonte një hotel në Lama të komunës së San Giustinos si dhe disa qendra estetike në Sansepolcro, e kishte shtrirë biznesin edhe në Shqipëri prej disa muajsh për shkak të lidhjes me një vajzë shqiptare.

Disa ditë pas ngjarjes një grup ekspertësh italianë mbërritën në Policinë e Pukës për të ndjekur nga afër hetimet për zhdukjen e biznesmenit 45-vjeçar. /euronews.al