Vdes një 6-vjeçar në Gjilan pasi i ranë dyert e metalit të oborrit

Vdes një 6-vjeçar në Gjilan pasi i ranë dyert e metalit të oborrit

Kronika August 05, 2021 - 10:53

Një gjashtëvjeçar ka vdekur sot si pasojë e plagëve të marra nga dyert e metalta të oborrit të shtëpisë së tij, të cilat u rrëzuan dje dhe i ranë përmbi.

Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Nga hetimet e para, dyshohet se dyert e metalit të oborrit të shtëpisë ishin rrëzuar aksidentalisht dhe kishin lënduar një fëmijë, i moshës gjashtë vjeç. Të lënduarit fillimisht i është ofruar ndihma e parë në spitalin privat ‘Swis-Clinic’”, tha ai.

Sipas tij, në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit i Krimeve të Rënda, si dhe inspektori i punës.

Hashani tha se rasti është duke u hetuar nga njësitet e hetimeve rajonale në Gjilan në koordinim me prokurorin e Shtetit.

Ndërkaq, Policia ka njoftuar për rastin edhe përmes raportit 24-orësh.

“Fsh. Vërbicë e Kmetovcit - Gjilan, 04.08.2021 - 11:00. Në rrethana të panjohura janë rrëzuar dyert metalike, nga të cilat është lënduar një fëmijë. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në QKUK. Në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse”, thuhet në raportin e PK-së. /Zëri