Situata me zjarre, Policia e Kosovës jep detaje

Situata me zjarre, Policia e Kosovës jep detaje

Kronika August 05, 2021 - 10:42

Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh, ka njoftuar në lidhje me situatën me zjarre në vend.

Sipas Policisë, dje në rrethana të panjohura ka shpërthyer zjarri në pronën e ankuesit nga Sankoci i Gllogocit.

Të njëjtit i janë djegur hamulloret dhe pylli në hapësirë prej rreth tre hektarëve.

“Njësitet e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin, nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në raportin e PK-së.

Ndërsa, një tjetër shpërthim i zjarrit ka ndodhur të mërkurën në malet e fshatit Brus të Lipjanit.

Nga Policia kanë bërë të ditur se në rrethana të panjohura ka shpërthyer zjarri në malet e fshatit, ndërsa njësitet e zjarrfikësve të Lipjanit, Llapnasellës e Novobërdës së bashku edhe me njësitet policore kanë arritur që të lokalizojnë zjarrin.

Po ashtu në raportin e PK-së thuhet se sipas rojës së pyllit janë dëmtuar rreth 20 hektarë pronë shtetërore dhe 5 hektarë male pronë private.

Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa rasti është duke u hetuar.

Edhe në Gushtericë të Epërme të Graçanicës është përfshirë nga zjarri një objekt ndihmës, transmeton Zeri.info.

“Për shkaqe ende të panjohura është përfshirë nga zjarri një objekti ndihmës, pronë e ankuesit mashkull kosovar”, është bërë e ditur në raportin e Policisë.

Sipas PK-së, njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe fikur zjarrin.

Ndërkaq, një person nga Ramjani i Vitisë dje ka njoftuar se disa ara të papunuara janë përfshirë nga zjarri.

Policia ka njoftuar se njësitet e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin, ndërsa nuk raportohet për të lënduar dhe të dyshuar.

Një tjetër rast ka ndodhur dje në Gjilan, ku një person është arrestuar, pasi në oborrin e depos së tij kishte ndezur një zjarr për t’i djegur disa mbeturina të depos.

Në raportin e Policisë thuhet se pasi zjarri kishte filluar të merrte përmasa, me ndihmën e qytetarëve njësitet policore kishin arritur ta lokalizojnë zjarrin.

“Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Në fshatin Shurdhan të Gjilanit policia ka bërë të ditur se një person ua ka vënë zjarrin disa barishteve në hapësirë prej 2 arësh, të cilat ndodheshin në pronën e tij.

Sipas Policisë, i dyshuari ka arritur që ta lokalizojë vetë zjarrin.

Më tej në raportin 24-orësh të Policisë është bërë e ditur se të martën në fshatin Cernillë të Ferizajt, si pasojë e zjarrit, janë djegur 50 hektarë hamullore të grurit.

“Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kalë lokalizuar zjarrin”, thuhet në raport.

Sipas Policisë, të lënduar nuk ka.

Po ashtu edhe në Sofajt të Ferizajt, si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer për shkaqe të panjohura deri më tani, janë djegur rreth 30 hektarë të hamulloreve të grurit.

Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë lokalizuar zjarrin.

Një rast tjetër me zjarr ka ndodhur në Suharekë, ku si pasojë e prishjes së një përçuesi elektrik ka shpërthyer një zjarr, që është përhapur në kodrinat e dy fshatrave, Peqan dhe Sllapuzhan

Sipas Policisë, njësitet e zjarrfikësve janë duke tentuar që ta shuajnë zjarrin.

Në qytetin e Gjakovës një person dje ka raportuar se për shkaqe të panjohura është përfshirë nga zjarri shtëpia e tij.

Përmes raportit 24-orësh, Policia e Kosovës ka njoftuar se njësitë relevante policore, si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, zjarri është lokalizuar.

Nga PK-ja kanë bërë të ditur se, përveç dëmeve materiale, vlera e të cilave nuk dihet, të lënduar nuk ka pasur.

“Në lidhje me rastin është informuar prokurori i Shtetit”, thuhet në raportin PK-së.

Ndërsa, në Malishevë ka shpërthyer zjarri në një pronë, ku janë djegur dy parcela me vreshta dhe pylli në hapësirë prej rreth 5 hektarëve.

“Njësite zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin, nuk raportohet për të lënduar”, është bërë e ditur nga Policia.

Një person nga Abria e Poshtme e Skenderajt të mërkurën ka raportuar në Polici se prona e tij hamullore dhe fusha është përfshirë nga zjarri.

Sipas Policisë, njësitet e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin.

“Nuk raportohet për të lënduar dhe të dyshuar”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së. /Zëri