Pas dy vajzave, vdes edhe nëna nga shpërthimi i bombolës së gazit në hotelin në Velipojë

Pas dy vajzave, vdes edhe nëna nga shpërthimi i bombolës së gazit në hotelin në Velipojë

Kronika August 02, 2021 - 10:14

Thellohet tragjedia e familjes Gjoka në Velipojë, pas 2 vajzave ndërron jetë edhe nëna, si pasojë e shpërthimit të bombolave të gazit në hotelin e tyre më 4 korrik. E para kishte ndërruar jetë 19-vjeçarja Daniela, ndërsa ditën e varrimit të saj, më 16 korrik, u shua edhe 15-vjeçarja Klarisa.

Nëna, dy vajzat dhe djali i mitur ishin djegur rëndë më 4 korrik pas shpërthimit të gazit në hotelin në pronësi të tyre, kur kryefamiljarja Alketa Gjoka 40 vjeç, ka tentuar të ndezë një prej bombolave të gazit, e cila ka pasur rrjedhje dhe ka shpërthyer. Flakët kanë përfshirë dhomën, por edhe të gjithë hotelin duke plagosur rëndë 4 anëtarët e familjes Gjoka, 40-vjeçaren dhe vajzat: Danjela Gjoka 19 vjeç si dhe dy fëmijët e mitur 15 dhe 12 vjeç.

Ata fillimisht u transportuan për në spitalin e Shkodrës, por më pas për shkak të plagëve të marra u nisën për në Tiranë dhe më pas në Itali. Në ato momente shpëtimi nga flakët ishte hedhja në pishinë, kur shihnin hotelin të shkrumbohej, por mjekët jashtë kamerave thanë se uji me klor në fakt nuk i ka ndihmuar, por u ka dëmtuar lëkurën, ndërsa djegia e tyre konsiderohet e gradës së tretë mbi 80%.

Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar nga policia edhe tregtari i gazit, Petrit Mlloja, pasi akuzohet se tregtonte lëndën djegëse pa licencën përkatëse dhe jashtë kushteve tekniko-ligjore./shekulli