Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e të riut në Klinë

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e të riut në Klinë

Kronika June 18, 2021 - 19:19

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit F.D për vrasjen e të riut në Klinë.

Nga kjo gjykatë kanë thënë se pas mos marrëveshje të mërhershme që kishte pasur me të ndjerin, më 16 qershor i pandehuri ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimes, ku afër ishte edhe vëllau i tij e që ka vë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë.

Sipas Gjykatës, i pandehuri më pas është dorëzuar në Stacionin Policor.

“Me datë 16.06.2021, rreth orës 21:00, privon nga jeta personin tjetër dhe me dashje vë në rrezik jetën e personave tjerë, në atë mënyrë që, pas një konflikti verbal në mes të pandehurit dhe viktimës V.B, që kishte pasuar si rrjedhojë e një mosmarrëveshje të mëhershme mes tyre, i pandehuri nga brezi nxjerr revolen dhe me të njëjtën shtie në drejtim të viktimës, e i cili në momentin kritik ishte pothuajse ngjitur me vëllain e tij, ashtu që më pas i pandehuri me të shpejtë largohet nga vendi i ngjarjes dhe dorëzohet pranë Stacionit Policor, ndërsa viktima dërgohet për tretman mjekësor në QKUK – Prishtinë, ku edhe pas pak çastesh gjen vdekjen”, thuhet në njoftim.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se kjo çështje penale është në fazën hetimor edhe pritet të dëgjohen dëshmitarët andaj, me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikoj te të njejtit, me qëllim të zvogëlimit të përgjegjësisë së tij penale e me këtë të pengoj rrjedhë normale të procedurës penale.

Gjithashtu, gjykata duke e pas parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së kësaj vepre dhe se raportet në mes të familjeve janë të acaruara, vlerëson se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri mund të vie deri te kryerja e ndonjë vepre të re penale andaj, mbi këto baza caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm./Zëri