Dështon seanca ndaj deputetëve të akuzuar për gazin lotsjellës në Kuvend, munguan palët e dëmtuara

Dështon seanca ndaj deputetëve të akuzuar për gazin lotsjellës në Kuvend, munguan palët e dëmtuara

Kronika June 18, 2021 - 18:44

Për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës dhe të Policisë së Kosovës, ka dështuar të mbahet seanca në rastin e ish-deputetëve Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala.

Të dy këta po akuzohen se kishin hedhur gaz lotsjellës në një seancë të Kuvendit të mbajtur më 30 nëntor 2015, si dhe kishin penguar Policinë gjatë kohës kur kjo e fundit po mundohej të shoqëronte në Polici, Albin Kurtin, cili atë kohë kishte qenë deputet.

Për shkak të këtyre veprimeve të të akuzuarve, deputetët dhe stafi administrativ i Kuvendit si dhe pjesëtarët e Policisë, në aktakuzën e prokurorisë konsiderohen si palë të dëmtuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e radhës që ishte paraparë të mbahej për këtë rast të premten, ka dështuar pasi që gjykatësi Eroll Gashi tha se përfaqësuesi i autorizuar nga Kuvendi i Kosovës nuk është prezent në seancë.

Gjithashtu, ai njoftoi se mungon edhe përfaqësuesi i autorizuar nga Policia i cili kishte qenë prezent në seancën e kaluar.

Në fjalën e tij, prokurori Menduhi Kastrati tha se me hedhjen e gazit lotsjellës janë dëmtuar deputetët dhe stafi administrativ e po ashtu sipas tij është penguar puna e Kuvendit.

Për këtë arsye, ai tha se Kuvendi i plotëson atributet e palës së dëmtuar ndërsa e sa i përket Policisë, prokurori tha se në këtë rast nuk konsiderohen si palë e dëmtuar.

Një deklarim të tillë, prokurori e bëri edhe pse në aktakuzë, Policia e Kosovës janë cilësuar si palë e dëmtuar.

“Me këtë rast konsiderojmë se Kuvendi i plotëson atributet si palë e dëmtuar. Sa i përket Policisë së Kosovës konsiderojmë se të njëjtit përballen me situata ku ballafaqohen me pengim në kryerjen e detyrës zyrtare megjithatë jo-domosdoshmërisht Policia është palë e dëmtuar andaj Policia në këtë rast nuk konsiderohet si palë e dëmtuar”, tha prokurori Kastrati.

Pretendimet e prokurorisë për palë të dëmtuar në këtë rast, i kundërshtoi mbrojtësja e të akuzuarit Kurteshi, avokatja Teuta Zhinipotoku.

Ajo tha se si mbrojtje, konsiderojnë se nuk ka palë të dëmtuar në këtë çështje sepse sipas saj, prokuroria nuk ka treguar se në çfarë mënyre dhe cilët deputet janë dëmtuar.

“Ne si mbrojtje konsiderojmë se palë te dëmtuar nuk kemi në ketë çështje gjyqësore sepse prokurori është dasht me tregu se në çfarë mënyre Kuvendi Kosovës apo deputet që janë të dëmtuar, cilët janë personat që kanë pësuar dëmtime, çfarë dëmtime kanë pësu” ka thënë avokatja Zhinipotoku.

Po ashtu, ajo shtoi se gazi lotsjellës nuk paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e njeriut pasi siç tha, për këtë ka një vendim nga Gjykata e Apelit që kishte vendos lidhur me një ekspertizë së toksikologjisë.

Ndërsa, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi tha se prokurori me fjalët e tij ka supozuar se dikush nga deputetët mund të ketë pësuar dëmtime fizike, e sipas tij, gjykata merr vendime në bazë të fakteve dhe jo supozimeve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Naser Sopjani tha se veprimet e prokurorit të shtetit janë ato që kanë ndërhy në punën e Kuvendit, sepse sipas tij, Kuvendi i ka mekanizmat e vet për të filluar procedura disiplinore ndaj deputetëve që kanë penguar punën e Kuvendit.

Pasi që palët dhanë mendimet e tyre lidhur me atë se kush është palë e dëmtuar në këtë rast, seanca e së premtes u ndërpre kurse e radhës u caktua më 2 shtator 2021, ora 09:30.

Ndryshe, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por tani lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi.

Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se me datë 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.

Për këto veprime, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshme” nga neni 375 par.1 të KPRK-së.

Kurteshi dhe Shala po akuzohen edhe se kishin penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht pjesëtarët e Policisë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Një gjë të tillë, Haxhi Shala akuzohet se e ka bërë në cilësinë e deputetit nga radhët e Nismës për Kosovën, ashtu që me disa deputetë të tjerë janë munduar që ta pamundësojnë shoqërimin në Polici të deputetit Albin Kurti nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancës plenare.

Kurse, Kurteshi akuzohet se në seancën e 30 nëntorit 2015, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit duke pamundësuar mbajtjen e seancës.

Për këto veprime, Kurteshi dhe Shala akuzohen edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 par.1 lidhur me nenin 81 të KPRK-së.