Tre vjet e katër muaj burgim për të dyshuarin që kreu dy vjedhje në vitin 2015

Tre vjet e katër muaj burgim për të dyshuarin që kreu dy vjedhje në vitin 2015

Kronika June 18, 2021 - 15:32

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykimin dënues prej tre vjetësh e katër muajsh burgim për të dyshuarin Y.A., pasi ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i dyshuari më datën 13 janar dhe më 06 qershor 2015 kishte kryer vjedhje dy vjedhje në dy shtëpi të ndryshme.

“I pandehuri akuzohet se më 13.01.2015, në Shtime, me qëllim që me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme e që vetës t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, me përdorimin e forcës me një shkallë të drurit, ku përmes shkallës ka hapur dritaren e katit të dytë, prej aty ka hyrë brenda në shtëpinë e të dëmtuarit D.Sh., ka marrë stoli prej ari në vlerë rreth 2500-3000 € dhe para të gatshme rreth 50 €, ndërsa më datën 06.06.2015, në shtëpinë e të dëmtuarit T.Z. në Shtime, i pandehuri fillimisht e kishte kaluar murin në lartësi 2 metra e pastaj përmes një shkalle të metaltë kishte hipur mbi garazh, prej aty në tarracë, ku përmes derës së tarracës kishte depërtuar brenda në katin e dytë, ku kishte kontrolluar në të gjitha dhomat dhe në dhomën e fjetjes kishte marrë 5.215 €, 5000 franga zvicerane dhe stoli të ndryshme ari në vlerë prej 6.500 €, sipas të dëmtuarit dhe dokumentet personale te tij”, thuhet në njoftim.

“I pandehuri Y.A. pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit gjyqësor është liruar nga akuza për veprën e tretë penale të ‘Vjedhjes së rëndë’, pasi gjykata nuk ka gjetur se në veprimet e të pandehurit manifestohen elementet e veprës penale për të cilën akuzohet, andaj të njëjtin e ka liruar nga akuza se më 04.02.2015, në fshatin Talinovc i Muhaxherve, komuna Ferizaj, në shtëpinë e të dëmtuarës Xh.S., së bashku me dy persona të tjerë, P.K. dhe K., me përdorimin e forcës, duke depërtuar brenda përmes derës së hyrjes në katin e dytë të shtëpisë, pasi ka demoluar dhomën e gjumit, ka vjedhur një sasi ari dhe atë 2x2.5 lira, me rreth dekorues, një lirë, dy zinxhirë qafe, dy rrethe dore, katër unaza, një palë vathë dhe një telefon celular ‘Alkatel’ në vlerë mbi 3000 €, e pastaj janë larguar nga aty”, thuhet në njoftim. /Zëri