Babë e bir rrahin një infermier në Dragash
Foto ilustruese

Babë e bir rrahin një infermier në Dragash

Kronika June 18, 2021 - 13:30

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e Kosovës ka bërë të ditur se një infermier është sulmuar mëngjesin e sotëm në QMKF-në e Dragashit, derisa po përfundonte ndërrimin e natës.

Në një njoftim, kjo Federatë ka thënë se infermieri N.H. është sulmuar verbalisht me fjalë fyese nga pacienti, i cili kishte shkuar për të marrë shërbim mjekësor.

Sipas Federatës, ky sulm nuk ka përfunduar me aq, pasi sipas tyre pacienti së bashku me djalin e tij i kanë dalë në pritë në rrugë dhe e kanë sulmuar përsëri.

“Me këtë rast infermieri N.H. është dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit, ku ka marrë ndihmën mjekësore, pasi, siç edhe ka deklaruar në Polici, ka pësuar lëndime në kokë dhe në gjunjë”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë punëtorët shëndetësorë kanë mbajtur një protestë në oborrin e QKMF-së në Dragash.

Sipas FSSHK-së, veprime të tilla ndaj punëtorëve shëndetësorë janë të dënueshme, të patolerusheme. Ata kanë kërkuar nga organet kompetente që të merren me rastin në fjalë, duke i vendosur para drejtësisë sulmuesit dhe punëtorëve shëndetësorë t’u ofrohet siguri më e madhe në vendin e punës. /Zëri