“Veç kur e kam ndi që ka shkrep arma refall”, e akuzuara tregon se si e privoi nga jeta një person në Malishevë

“Veç kur e kam ndi që ka shkrep arma refall”, e akuzuara tregon se si e privoi nga jeta një person në Malishevë

Kronika June 16, 2021 - 10:40

E akuzuara për vrasje, Nafije Rrafshi, të martën ka treguar versionin e saj të ngjarjes se si ka ardhur deri të vrasja e tanimë të ndjerit, Sefer Berisha, vrasje kjo që kishte ndodhur në vitin 2018 në Malishevë.

Për këtë vrasje po akuzohet edhe e bija e saj, Behare Nura.

E akuzuara Rrafshi tha se ditën kritike ishte nisur bashkë me të bijën e saj Behare Nura për t’ia dërguar disa të holla vajzës së saj në Lladrovc të Malishevës.

Ajo tha se rrugës i ndjeri Berisha kishte qenë duke e ndjekur atë dhe se kishte kërkuar nga ajo që të ndalej për të biseduar.

E akuzuara Rrafshi tutje tha se i ndjeri fillimisht kishte tentuar dhe më pas e kishte shtyrë atë që të hyjë dhunshëm në automjetin e tij.

“Nuk e ka fol asnjë fjalë të vetme ma ka ngjitë për dorën e majtë me të dy duart dhe më ka ngreh zhag. Si e ka çelë derën dhe me njërën dorë më ka pasur për dore dhe me dorën tjetër më ka shtyrë për gjoksi dhe kam hy në karrigen mbrapa tij dhe ai është ulur në karrigen e shoferit dhe më ka thënë mbylle derën, i thash: “Fol a je normal”, më tha: “E poshtër t’kam lut me t’mirë nuk ke dashtë sot ja ke me pranu qa të thom unë ja kam me t’vra dhe xhenazen tone kam me ta qu në një mal që s’ka me mujt me ta gjetë kush”, tha e akuzuara në mbrojtjen e saj.

Ajo tha pasi që i ndjeri kishte lëvizur disa metra me veturë, ishte ndalur dhe e kishte kërcënuar me vrasje dhe dhunim.

“E ka nal kerrin dhe mu kthy dhe më tha: “Gjallë nuk të lëshoj”, duke ma bërë me gisht e kam thikën e kam alltinë, në atë moment e kam humbur më se më kërcënojë me vrasje dhe me m’dhunu dhe nga frika i kam thënë; “Po a”, i kam thënë edhe unë kam revole dhe e kam nxjerrë nga çanta revolën që e kam pas dhe ai më tha: “Plumat e tu t’i pres me dorë, tash ki me vra vetën me dorë tone”, dhe pastaj i ka bo kerri me shllajf dhe në atë moment veç kur e kam ndi që ka shkrep arma refall dhe aty në atë moment veç çka më kujtohet që më rri parasysh është që xhami u bo merimang dhe e kam humbur krejt dhe e kam pa vetën të rrëzun për tokë”, tha tutje e akuzuara Rrafshi.

Ajo tha se të ndjerin e ka njohur për 5-6 vjet, pasi që ai kishte punuar me burrin e saj dhe se i njëjti tha se ka qenë në shtëpinë e saj disa herë.

Siç tha Rrafshi, ajo ka qenë e shqetësuar nga i ndjeri për vite me radhë dhe se për këtë e kishte njoftuar familjen e të ndjerit.

E akuzuara deklaroi se i ndjeri i kishte gjuajtur letra në oborrin e saj e ku kërkonte që të dilnin bashkë për kafe.

Derisa për armën me të cilën e ka kryer vrasjen, e akuzuara tha se e ka blerë në Drenas, derisa shtoi se qysh nga koha e pasluftës ajo gjithmonë ka mbajtur në çantë krahu armë. Ajo tha se armën e ka mbajtur kryesisht për sigurinë e familjes së saj për shkak se bashkëshorti i saj punonte jashtë shtetit.

E akuzuara tjetër në këtë rast, Behare Nura, deklaroi se do të mbrohet në heshtje.

Në këto rrethana, kryetari i trupi gjykues, gjykatësi Shaqir Zika ka caktuar 8 korrikun për dhënien e fjalëve përfundimtare në këtë rast.

Fillimisht lidhur me këtë vrasje akuzohej vetëm Nafije Rrafshi, mirëpo prokurori Ali Uka, kishte kërkuar që gjykimi të ndërpritet pasi që kishte marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve dhe ndaj dy të pandehurve tjerë, me dyshimin e bazuar se në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshin e kanë kryer veprën penale të vrasjes.

Këto hetime kanë rezultuar me ngritjen e një aktakuze edhe ndaj Behare Nurës, me dyshimin se e njëjta së bashku me Nafije Rrafshin kanë kryer veprën penale të vrasjes, ndërsa i akuzuari Granit Alushani po ngarkohet vetëm me veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Behare Nura po akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 9:30, në rrugën “Habib Zogaj” në fshatin Lladrovc të Malishevës, me dashje në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshi, për motive të panjohura kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Sefer Berisha, i moshës 57 vjeç.

Tutje sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi dalin nga automjeti i tyre dhe i afrohen automjetit të tani të ndjerit i cili kishte dalë nga rruga dhe ishte ndalur në një breg në afërsi të pyllit, nga një largësi për momentin të panjohur njëra prej të akuzuarave me revolën e tipit TT kalibër 7.62mm ka shtënë nga jashtë automjetit në drejtim të ulëses ku ishte i ulur i ndjeri, ashtu që me njërën prej të shtënave e qëllon atë në anën e majtë të qafës ndërsa me të shtënën tjetër në kokë mbi veshin e djathtë.

Për këtë, ato po akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje” nga neni 178 lidhur me nenin 31 të KPRK-së,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

E akuzuara Nura po ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, përkatësisht për mbajtjen pa autorizim të armës të tipit TT kalibër 7.62mm së bashku me 19 fishekë të cilën armë e ka përdorur si në dispozitivin e përshkruar më lartë.

Për armëmbajtjen pa leje të armës dhe fishekë të përshkruar më lartë po ngarkohet edhe Granit Alushani, në atë mënyrë që atë armë të akuzuarit Granit ia jep bashkëshortja e tij Adelina ashtu që më parë atë armë e akuzuara Nafije ia kishte dhënë dëshmitares, përkatësisht vajzës së saj Adelinës për t’ia ruajtur.