Vali Corleone pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe posedim të substancës narkotike

Vali Corleone pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe posedim të substancës narkotike

Kronika May 12, 2021 - 14:33

Prince Valentino Corleone, i njohur ndryshe si Vali Corleone, ka pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe atë të posedimit të paautorizuar të substancës narkotike.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari ka pranuar se ka kryer dy veprat penale me të cilat ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kështu, prokurori Sadiku ka propozuar që për të pandehurin si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë, kurse si rrethanë rënduese të merret fakti se i njëjti është përsëritës i veprave penale.

Në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuarit Corleone, avokatja Adelina Sherifi deklaroi se i mbrojturi i saj e ka pranuar fajësinë në mënyrë vullnetare.

Avokatja Sherifi tha se meqenëse klienti i saj është përdorues i substancave narkotike, i premton gjykatës se do të fillojë një program shërimi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 11 maj 2021, ka përpiluar aktakuzë kundër Prince Valentino Corleone, me arsyetimin se i njëjta ka kryer veprat penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe “posedim i paautorizuar i substancave narkotike, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 269, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i akuzuari Corleone, me 14 prill 2021, rreth orës 16:00 minuta, në shtëpinë e tij në Gjilan, në kundërshtim me ligjin për armët, ka mbajtur një armë automatike të llojit “Scorpion”, me pesë karikatorë dhe 118 fishekë të kalibrit 7.65 mm, të cilat janë konfiskuar me rastin e kontrollimit nga ana e zyrtarëve policorë.

Kurse sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Corleone, me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike dhe atë tetë të llojit “cocainë”, me peshë prej 2.77 gram, e cila është gjëtur me rastin e kontrollimit nga ana e zyrtarëve policorë në dhomën e tij të ndejës, në tavolinë, me ç’rast edhe i është sekuestruar.