Infektuar: 106538
Shëruar: 98223
Vdekur: 2213
Varroset 27-vjeçari që u vra në Mitrovicë, dorasin nuk e ka njohur më parë

Varroset 27-vjeçari që u vra në Mitrovicë, dorasin nuk e ka njohur më parë

Kronika April 19, 2021 - 14:43

Sot iu dha lamtumira e fundit 27-vjeçarit Valmir Fazliu në varrezat e fshatit Dolak të Vushtrrisë, i cili u vra të shtunën në Mitrovicë. Tragjedia ndodhi në Tregun e Gjelbër të qytetit, ku po shiste fidanë, ndërsa sipas një banori të fshatit ai nuk e ka njohur dorasin më parë.

Expressi sjell detaje lidhur me rastin, ku mbetën edhe dy të tjerë të plagosur, në mesin e tyre një kalimtar rasti

Për djalin e hasretit, i cili u privua nga jeta në moshë të re, nuk kanë dashur të flasin nga familja e tij e ngushtë. Pak para se të varrosej të afërm të viktimës thanë se familja nuk është e gatshme të prononcohet për media.

Ndërsa një banor i fshatit, që e njihte mirë 27-vjeçarin e ndjerë, tha se ai nuk ka pasur probleme me dorasin në të kaluarën, sipas tij janë njohur në treg, në ditën tragjike.

“Ka shku në punë, fidanë me shitë. Probleme s’kanë pas në të kaluarën mes vete, se ka njoft hiç atë njeri. As ne nuk e dimë se si ka ndodhë rasti”, u shpreh për Express një bashkëfshatar i viktimës.

Policia Rajonale e Mitrovicës theksoi se nga hetimet e deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një zënke çasti ndërmjet të  dyshuarit dhe viktimave të rastit.

Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”, ku ishin të përfshirë katër persona civilë. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga i dyshuari Sh. A., 35-vjeçar, 27-vjeçari vdiq, ndërsa dy të tjerë të plagosur, me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.

Gjithashtu lëndime trupore ka pësuar edhe 35-vjeçari i dyshuar, i cili më pas ka pranuar edhe trajtim mjekësor.

Nga hetimet e zhvilluara deri me tani, njeri nga të lënduarit ka marrë plagë aksidentalisht. Ndërsa në vendin e ngjarjes, pas  ekzaminimeve të kryera, hetuesit policorë si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë, tri gëzhoja dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.

Ndërsa, në mesin e dëshmitarëve është intervistuar edhe një zyrtar policor, i cili në kohen e ngjarjes ishte jashtë detyrës zyrtare dhe ndodhej afër personit të dyshuar, ka njoftuar policia.

Ndaj te dyshuarit Sh. A., Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit.

Në seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, e mbajtur para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. /Gazeta Express