Infektuar: 106538
Shëruar: 98223
Vdekur: 2213
Paraburgim të dyshuarve që përfituan tenderë gati 1.5 milion euro në Komunën e Prizrenit me dokumente fiktive

Paraburgim të dyshuarve që përfituan tenderë gati 1.5 milion euro në Komunën e Prizrenit me dokumente fiktive

Kronika April 19, 2021 - 10:59

Fidan Hoxha, gjyqtar i procedurës në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditësh ndaj të pandehurve G.P., B.S dhe S.S., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Rasti në fjalë ka të bëjë me një denoncim që para disa dite ka bërë rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET, duke denoncuar dy kompani të cilat kishin fituar tenderë mbi 1 milion euro në Komunën e Prizrenit me dokumente fiktive.

Sipas AVONET-it, operatorët ekonomikë NABS dhe CONS ENG kanë mashtruar ose falsifikuar dokumentet, me të cilat edhe kanë përfituar kontratë me vlerë 1.394.853.90 euro me Komunën e Prizrenit, transmeton Zeri.info.

Në anën tjetër, Gjykata ka njoftuar sot se me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve G.P., S.S., dhe B.S. ka gjetur se në rastin konkret ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe ky dyshim i bazuar mbështetet në provat e mbledhura deri në këtë fazë të procedurës. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Meqë ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh peshën e veprave penale, të cilat kanë cenuar rendin ligjor të prokurimit publik, lartësinë e dënimit, e cila parashikohet për këto vepra penale, si dhe rrethana e tjera të këtij rasti, duke pasur parasysh se të pandehurit mund të fshihen nga organet e ndjekjes penale, kështu do t’i shmangeshin përgjegjësisë penale. Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, duke marrë parasysh faktin se hetimet janë në fazën fillestare dhe do të merren edhe veprime tjera hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit në fjalë, do të merren në pyetje të pandehurit, po ashtu edhe dëshmitarët e tjerë, prandaj po të lihen në liri të pandehurit ka arsye për të besuar se të njëjtit do të mundohen në ndonjë mënyrë ose formë të caktuar t’i ndryshojnë provat e veprën penale, duke ndikuar në dëshmitarët e rastit, andaj në këto rrethana nëse të pandehurit lihen në liri mund të pengohet zhvillimi normal i procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata gjithashtu ka vlerësuar edhe masa të tjera për sigurimin e prezencës së të pandehurve, por duke pasur parasysh të lartcekurat në rastin konkret ka vlerësuar se caktim i paraburgimit është më i arsyeshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale. /Zëri