Prokuroria jep detaje për arrestimin e “Ciprrës” në Podujevë

Prokuroria jep detaje për arrestimin e “Ciprrës” në Podujevë

Kronika April 17, 2021 - 10:35

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me një njoftim në lidhje me arrestimin e Besim Hajdarit, i njohur me nofkën “Ciprra”, i cili ka qenë i kërkuar për një kohë nga organet e drejtësisë.

Përmes një komunikate për media nga Prokuroria është bërë e ditur se pas zhvillimit të një operacioni në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, Agjencinë Kosovare të Intelegjencës, Policinë e Kosovë dhe Njësitin Special të Kosovës, më 16.04.2021, është arrestuar i dyshuari me inicialet B.H., "i cili për nga e kaluara e tij kriminale ka qenë recidivist dhe i kërkuar për organet e drejtësisë, i përfshirë në disa raste për kryerjen e veprave penale 'Vrasja e rëndë në tentativë' dhe 'Kanojsa'".

“I dyshuari i lartcekur, më 16.04.2021, është ndaluar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, në kohëzgjatje prej 48 orësh, në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e PTH-së.

Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Ndërkaq, dje u raportua se ai u arrestua derisa ishte në një motel në rrugën Podujevë-Merdar, ku gjendej me një vajzë të mitur (17 vjeçe)./Zëri