Paraburgoset Vali Corleone, në shtëpi iu gjetën armë e drogë

Paraburgoset Vali Corleone, në shtëpi iu gjetën armë e drogë

Kronika April 16, 2021 - 14:30

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit P.C. (Princ Corleone), i njohur si Vali Corleone, pasi ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” dhe “Posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, pas kontrollit më datën 14 janar në shtëpinë e të dyshuarit në Gjilan janë gjetur: një armë automatike dhe substanca narkotike pa autorizim.

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ia caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurit P. C.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, më datën 14.04.2021, rreth orës 16:00 minuta, në shtëpinë e tij në Gjilan, në kundërshtim me Ligjin mbi Armët, ka mbajtur armë automatike të llojit ‘Scorpion’, me (5) pesë karikatorë dhe njëqindetetëmbëdhjetë (118) fishekë të kalibrit 1.65 mm. Po ashtu në të njëjtën ditë i pandehuri në shtëpinë e tij, pa autorizim, ka poseduar substancë narkotike, ashtu që me rastin e kontrollimit nga ana e Policisë së Kosovës në dhomën e tij të ndejës, në tavolinë, janë gjetur (8) tetë qese substancë narkotike e llojit ‘kokainë’, në peshë prej 2.9 gramësh”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan. /Zëri