Fejzullah Hasani e cilësoi si “vrasje nga pakujdesia” rastin e Agonis Tetajt, reagon KPK-ja

Fejzullah Hasani e cilësoi si “vrasje nga pakujdesia” rastin e Agonis Tetajt, reagon KPK-ja

Kronika April 15, 2021 - 19:02

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, dje komentoi vrasjen e Agonis Tetajt, vrasje e cila ndodhi në shtatorin e vitit 2018 në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan dhe vendimin e prokurorit të rastit për ricilësimin e kësaj vepre nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Hasani tha se beson që vrasja ka ndodhur nga pakujdesia.

Në lidhje me këtë sot reagoi, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ku konsideroi se "atakimet nga jashtë në punën dhe kompetencat e Kryeprokurorit të Shtetit janë të papranueshme", raporton Zeri.info.

“KPK konsideron se atakimet nga jashtë në punën dhe kompetencat e Kryeprokurorit të Shtetit përveç se janë të papranueshme, përbejnë edhe ndërhyrje në pavarësinë institucionale dhe kushtetuese të institucionit të Prokurorit të Shtetit, aq me tepër kur atakimet e tilla bëhen nga një ish-Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës”, thuhet në reagimin e KPK-së.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës mbështet punën e pavarur dhe profesionale të Kryeprokurorit të Shtetit në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave të tij të përcaktuara me Kushtetutë dhe aktet tjera ligjore, si dhe qëndron fuqishëm në përkrahje të punës së tij në zbatim të ligjshmërisë”, përfundoi KPK-ja.

Hasani vlerësoi se ricilësimi i kësaj vepre ishte veprim i duhur, pasi që, sipas tij, është e vështirë të besohet se ka pasur një motiv a qëllim që të kryhet ajo vrasje.

“Unë e kam pa. Vërtet është e tmerrshme ajo për familjen e viktimës, por edhe për familjen e autorit të kësaj vrasje. Mirëpo, ligji te ne njeh 3 lloj vrasje, ligji, por edhe çdokund e drejta penale në botë, njeh 3 lloj vrasje, vrasjet e rëndomta, të rënda, por edhe vrasje të privilegjuara, ose vrasje nga pakujdesia. Domethënë vetë fjala vrasje nga pakujdesia do të thotë kur ti je i pakujdesshëm, i pavëmendshëm dhe e vret tjetrin pa pasur dashje për ta vrarë. Tash ti nëse e merr, unë po flas si jurist, si teoricient, si prakticient, ngase gjithë karrierën time kam kalu në sistem gjyqësor në të gjitha nivelet, si avokat, si gjyqtar i shkallës së parë, të dytë, të Supremes, vështirë është për të besu se ka ekzistu qëllimi i dikujt për ta vrarë dikënd, kur nuk din kush që ka pas një të keqe mes viktimës dhe vrasësit”, tha ai në DTV.

Prokurori ka të drejtën me ricilësu veprën penale kur konsideron se është e tillë, domethënë tash unë pa hy në detaje, por unë pak besoj, anipse e di unë që ka pas reagime të shumta. Unë kam pa reagime të opinionit, reagime të komunitetit që nuk e njohin atë fushë, që gjithnjë është dukur se kanë qenë në një aspekt të ndikuar nga dhembshmëria që ka shkaktu, se vërtetë ajo krijon neveri, krijon dhimbje, krijon edhe për mu kur e shoh një djalë i cili e humb jetën, pa asnjë, domethënë në mënyrën më banale të mundshme, mirëpo unë thashë nëse ngjarja është ashtu si përflitet se kanë ekzistu dy revole, njëra ka qëndru në këllëf, ndërsa kjo me gas ka qëndru jashtë këllëfit dhe nëse është e vërtetë që dikush e ka ndërru atë revole, që po del që po, gabimisht e ka ndërru, në vend që me e fut në këllëf vrasësen, e ka fut këtë me gas dhe ky s’ka pas kurrë të keq me të, nuk din kush që ka pas të keq me të”, shtoi ai.

Bazuar në pamjet e kamerave që shfaqin momentin e vrasjes, Fejzullahu thotë se Shaban Gogaj, i akuzuari për këtë vrasje, nuk ka pasur shënjestër dhe qëllim për të vrarë Agonis Tetajn.

“Vrasja mund të ndodh aty për aty, qëllimisht aty për aty, në grindje e sipër, nuk shikon rrethana, e humb atë gjykimin e arsyeshëm dhe mbizotërojnë ndjenjat në arsye dhe mund ta vrasësh njeriun, mirëpo pa konflikt paraprak, të mëhershëm, pa konflikt në moment dhe nëse, unë po flas nga prizma e spektatorit që sheh nga distanca virtualisht, pa e pa, e pa i lexu ato dosje e shkresa të lëndës, mirëpo nëse e shikoni me vëmendje, ju e shikoni se ai nuk ka pas target fare, domethënë shtënia e tij nuk ka qenë target, target dukeshin se ishin të tre, që ka mund secilin nga këta tre të goditet, se ky ka gjuajtë në drejtimin e tyre, ngase këto armë me gas nuk prodhojnë pasoja”, tha ai.

Kësisoj, ai thotë se një vrasje të tillë, ligji e njeh si “vrasje nga pakujdesia”.

“Unë thashë krejt bashkëndjej dhimbjen e asaj familje që ka humb, nuk ka vrasje më të tmerrshme, më humbje më të tmerrshme, mirëpo ligji e njeh vrasjen nga pakujdesia, po e shihni vetë emri vrasje nga pakujdesia, e vret pa qëllim për ta vrarë, tash është pytja tjetër, është goxha vështirë për ta bind dikënd se në praninë e kamerave, të cilat janë në funksion për 24 orë, ti pa asnjë të keq po e nxjerr revolen dhe po e vret njeriun, që mundësitë janë për të vra dhe kamuflu vrasjen në mënyra krejt tjera, e jo në mënyrë të tillë aq transparente”, sqaron Hasani.

“Unë të thashë nuk mund të them tash me përpikëri a ishte a s’ishte, por nga ajo çka kam pa virtualisht nëpër media, unë më shumë jam i prirur për të besu se aty ka pasur vrasje nga pakujdesia”.

Deklaratat e dëshmitarëve që Shaban Gogaj ka qenë një menaxher që u ka bërë presion punëtorëve, ish-kryetari i Supremes thotë se nuk e mbështesin akuzën se ai ka pasur qëllim ta vrasë dikë, madje në prani të kamerave.

“Ky mund me siguri të plotë të deklarohem dhe nuk jam në rrjedhë të ngjarjes, unë po flas nga leximet që kam bë nëpër portale, nga ato që i kam pa që janë shfaq edhe kamerat edhe po flas si jurist, për mu është vështirë e kapshme dikush pa pas asnjë të keq, kurrë pa pas asnjë të keq. Çështjen si menaxher ai mund të jetë arrogant, ajo është çështje diçka tjetër. Menaxherët edhe nëpër institucione, dikush është më arrogant e dikush është më skofjar, më i sjellshëm, domethënë nuk e determinon ajo për kaq, ajo se ai ka pas ndonjë qëllim, për që duket se është vagabond, tash ndoshta është fjalë e rëndë, duket që është i llastuar, nonshalant, i pakujdesshëm, nga vetë sjelljet duket që ai ka qenë i tillë, mirëpo vështirë është për të nxjerrë përfundime se ka dashtë për ta vrarë në praninë e kamerave, në praninë e gjithë këtyre njerëzve, se ai kur don me vra ju thotë largojuni ju", u shpreh Hasani. /Zëri