Infektuar: 97996
Shëruar: 82064
Vdekur: 1988
Një muaj paraburgim ndaj shtetasit të Shqipërisë që i ofroi policëve 50 euro për të hyrë në Kosovë

Një muaj paraburgim ndaj shtetasit të Shqipërisë që i ofroi policëve 50 euro për të hyrë në Kosovë

Kronika April 08, 2021 - 16:33

Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 06.04.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 06.05.2021, ndaj të pandehurit E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Në njoftimin e gjykatës, thuhet se me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit E.R., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: I pandehuri E.R., në mënyrë të drejtpërdrejt i jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar, në mënyrë që ai person të mos veproj në pajtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që më datë 06 prill, në orët e pasdite, duke kaluar si pasagjer me automjet në pikën kufitare Shqipëri – Kosovë, në Vërmicë, pasi ndalohet automjeti në fjalë nga zyrtari policor, i pandehuri E.R., në lejen e qarkullimit të automjetit të tij e kishte vendosur një kartëmonedhë në vlerë prej 50 euro dhe kur është pyetur se pse është kartëmonedha e vendosur aty, në atë moment ka reaguar duke i thënë se “këto të holla i kam futur unë për ju, për arsye se kam ndalesë hyrje në Kosovë dhe për të më mundësuar të kaloj kufirin”.

Më tej thuhet se gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.R., duke marrë parasysh faktin se i pandehuri është shtetas i Shqipërisë, dhe me lënien në liri i njëjti mund të arratiset dhe të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë gjatë fazës së hetimit dhe në faza tjera.

“Gjithashtu Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh edhe karakteristikat personale dhe sjelljen e mëparshme të të pandehurit, pasi që i njëjti është recidivist dhe kryerës i veprave tjera edhe në të shkuarën dhe për këtë arsye e ka pasur të ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. /Zëri