Tentohet të grabitet automjeti që po transportonte paratë në rrugën Prishtinë-Gjilan, plagosen dy persona

Tentohet të grabitet automjeti që po transportonte paratë në rrugën Prishtinë-Gjilan, plagosen dy persona

Kronika March 08, 2021 - 18:28

Pasditen e sotme, persona të panjohur kanë tentuar të grabisin një automjet që po kryente transport të parave.

Ngjarja ka ndodhur në ora 16:45 në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

Lajmin për “Zërin”, e ka konfirmuar policia e Rajonit të Prishtinës, duke theksuar se tentim grabitja ka qenë e armatosur dhe si pasojë e kësaj dy persona kanë mbetur të lënduar.

“Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se persona te dyshuar në rrethana që aktualisht po trajtohen nga policia kanë shtënë me arme zjarri në drejtim të automjetit qe po kryente transportin e parave. Për pasoje dy persona pjese e kompanisë qe po kryente transportin janë plagosur dhe te njëjtit janë dërguar ne QKUK për trajtim mjekësor”, theksoi zëdhënësi Agron Borovci.

Ai theksoi se të dyshuarit nuk kanë arritur të kryejnë grabitjen por si e tillë ka mbetur në tentative, dhe të njëjtit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

“Policia ka filluar një hetim lidhur me rrethanat qe karakterizojnë ngjarjen me qellim zbardhjen e tyre dhe identifikimin e te implikuarve”, përfundoi Borovci. 

Për këtë rast u deklarua edhe kompania e sigurimit Besa Security.

Ata thonë se sulmi ishte kryer me armë të kalibrit të rëndë dhe kallashnikov, raporton Zëri.info.

“Në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, afër Badovcit, disa plaçkitës kanë sulmuar kombin e Transportit të Parave të Gatshme me armë të kalibrit të rëndë dhe me kallashnikov”, njofton kjo kompani e sigurimit.

Ata theksojnë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.

“Dy punonjës të TPG-së, janë të plagosur. Të njëjtit, falë veturës të armatosur kundër kallashnikov, jelekëve antiplumb të veshur nga punonjësit tonë dhe më pas falë një veture të FSK-së që ka kaluar pas pak minutash dhe të cilët ia kanë dhënë ndihmën e parë të dy punonjësve, sipas informatave janë jashtë rrezikut për jetë”, deklaruan ata.

Po ashtu, edhe 2 pjesëtarë tjerë të kompanisë që kanë qenë në automjet, kanë shpëtuar të paprekur nga ky sulm. /Zëri/