Vrasja e Donjeta Pajazitajt, lirohet kryeplaku i Strellcit

Vrasja e Donjeta Pajazitajt, lirohet kryeplaku i Strellcit

Kronika March 02, 2021 - 13:27

Haki Pajazitaj, i njohur ndryshe si “kryeplaku i fshatit” Strellc të Deçanit, i arrestuar të hënën për deklarim të rrejshëm në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt, është dënuar me gjobë prej 200 eurove dhe gjashtë muaj deri në një vit me kusht në rast se nuk kryen ndonjë vepër penale.

Sipas avokates Aurora Mulhaxhës, klienti i saj ka thënë se e ka ndërruar deklaratën në rastin në fjali pasi, siç ka thënë ai, këtë e ka bërë në presion.

“Unë kam qenë i frikësuar dhe i kërcënuar, por nuk mund të tregoj se nga kush dhe ju lutem meqenëse kam probleme shëndetësore mos kërkoni nga unë të dini se nga kush jam kërcënuar. Kjo do të thotë që unë e pranoj veprën penale ‘Deklarim i rremë’, jam shumë i penduar për këtë vepër dhe kërkoj falje publike”, ka thënë Pajazitaj në dëshminë e tij, njofton “Klan Kosova”.

74-vjeçari Haki Pajazitaj ishte arrestuar të hënën, pasi deklaratat e tij të dhëna në prokurori e polici ishin kundërthënëse me ato çka kishte thënë në shqyrtimin gjyqësor të hënën në Gjykatën e Ferizajt.

Për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëntor të vitit 2015 akuzohet Naser Pajazitaj.