Dënohet me gjobë dhe me burgim prizrenasi që kërcënoi prindërit, pasi nuk i dhanë para

Dënohet me gjobë dhe me burgim prizrenasi që kërcënoi prindërit, pasi nuk i dhanë para

Kronika January 27, 2021 - 14:45

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit B.M., i cili prillin e vitit të kaluar kishte kërcënuar familjen e tij, përkatësisht prindërit e tij, pasi nuk i kishin dhënë para, raporton “Zeri.info”.

Në njoftimin për media, Gjykata njofton se: “Më datën 24.04.2020, në Prizren, në shtëpinë e përbashkët familjare, ushtron dhunë psikologjike dhe ekonomike me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda familjes, përkatësisht ndaj të dëmtuarve – prindërve të tij, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje, duke qenë nën ndikimin të përdorimit të narkotikëve, kërkon nga prindërit e tij para në vlerë prej 100 eurove dhe kur këta të fundit nuk i japin para, i njëjti në mënyrë agresive fillon t’i ofendojë, fyejë e shajë, si dhe i kanos se do t’ua djegë shtëpinë dhe fillon të gjuajë me gurë në drejtim të kulmit të shtëpisë, me ç‘rast tek të dëmtuarit shkakton frikë, stres psikologjik, ankth dhe pasiguri”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

I akuzuari B.M. me këto veprime, sipas Gjykatës, ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”, andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej pesëqind (500) eurove, të cilën shumë të dënimit i akuzuari është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 24.04.2020 e deri më 23.05.2020.

I akuzuari po ashtu është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 30 eurove dhe shumën prej 30 eurove në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i vetëm gjykues Fatmir Krasniqi ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjitha palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /Zëri