Lirohet i dyshuari për përdhunimin e një 33-vjeçareje në Gjilan
Foto: Ilustrim

Lirohet i dyshuari për përdhunimin e një 33-vjeçareje në Gjilan

Kronika January 21, 2021 - 11:50

Të hënën e kësaj jave rreth orës 8:00 të mëngjesit, në Gjilan, është arrestuar një 29-vjeçar, pasi dyshohet se ka dhunuar një femër kosovare 33-vjeçare.

Policia njofton se rasti ka ndodhur në një motel.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se ai në një motel ka dhunuar viktimën femër kosovare. Viktima ka kryer ekzaminimet mjekësore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e PK-së.

Ndërkaq, zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra, ka konfirmuar për “Zërin” se i dyshuari i këtij rasti është liruar në mungesë të provave.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit, duke e liruar të pandehurin, pasi mungon dyshimi i bazuar për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Shkodra.

Ndërkaq, “Zëri” mëson jozyrtarisht se dyshja ka qenë në lidhje tash e rreth 5 vjet.

Po ashtu mësohet se viktima e raportuar e rastit ka shkuar me vetëdëshirë në motel.

Ndërkaq, 33-vjeçarja besohet ta ketë raportuar të dashurin e saj në Polici pasi ai i ka thënë se nuk do të martohet me të. /Zëri