Arrestohet 28-vjeçari në Kaçanik, i dyshuar për 11 vjedhje

Arrestohet 28-vjeçari në Kaçanik, i dyshuar për 11 vjedhje

Kronika January 21, 2021 - 10:52

Policia e Kosovës ka arrestuar një 28-vjeçar, i dyshuar për një sërë vjedhjesh në qytet dhe në rrethinën e Kaçanikut gjatë muajit dhjetor 2020 dhe muajit janar 2021.

Policia sot ka njoftuar se lidhur me këto raste hetuesit policorë kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, J.B. (M/Kosovar /28 vj.), i cili gjatë procesit të hetimeve e në prezencë të avokatit ka pranuar gjithsej 11 vepra të kryera nga ai në shtëpia dhe lokale të ndryshme.

“Pas arrestimit të të dyshuarit, gjatë kontrollit të kryer në disa lokacione, ku i dyshuari kishte qëndruar kohëve të fundit, policia ka gjetur dhe ka konfiskuar shumë pajisje, vegla pune dhe gjësende tjera, si veshje të ndryshme, këpucë dhe gjëra ushqimore, të cilat i dyshuari kishte fshehur. Gjithashtu janë gjetur dhe janë konfiskuar edhe mjete si shufra metalike dhe kaçavida, mjete të cilat janë përdorur për depërtim në shtëpitë dhe lokalet e ndryshme, ku janë kryer vjedhjet. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, i dyshuari lirohet dhe lënda shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e Policisë Rajonale të Ferizajt. /Zëri