Paraburgim për prizrenasin, që sulmoi nënën dhe bashkëshorten e tij

Paraburgim për prizrenasin, që sulmoi nënën dhe bashkëshorten e tij

Kronika January 20, 2021 - 11:49

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit E.F., nën dyshimin se ka kryer veprat penale: "Dhunë në familje", "Lëndim i lehtë trupor" dhe "Mospërfillje e Gjykatës".

Sipas Gjykatës, i dyshuari E.F. ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme dhunë dhe keqtrajtim fizik në familje.

"Në ditën kritike i pandehuri E.F. ushtron dhunë të vazhdueshme sistematike, keqtrajtim fizik, psikologjik në familje, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda marrëdhënies familjare, në atë mënyrë që ditën kritike me rastin e daljes nga shtëpia bashkëshortes së tij – të dëmtuarës, i thotë që ta pastrojë ballkonin e shtëpisë dhe largohet nga aty, me rastin e kthimit në shtëpi fillon zënka në mes të pandehurit dhe të dëmtuarës, i pandehuri e kanos të dëmtuarën me fjalë, duke i thënë: ‘kam me të mbytë’ dhe fillon ta sulmojë fizikisht, saqë merr një kabllo elektrike dhe me të fillon ta godasë në gjithë trupin, pastaj e godet me shuplakë e kapë për flokë dhe e keqtrajton tej mase, saqë detyrohet të ndërhyjë nëna e të pandehurit që ta parandalojë keqtrajtimin dhe vazhdimin e dhunës ndaj të dëmtuarës", thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Po ashtu, sipas provave, i dyshuari në po të njëjtën ditë i ka shkaktuar lëndim të lehtë edhe nënës së tij.

"Po ashtu, nga këto prova dhe shkesat e lëndës, rrjedh se i pandehuri i lartcekur më datën kohën dhe vendin e njëjtë të theksuar si më lart, i shkakton lëndim të lehtë trupor të dëmtuarës - nënës së tij, në atë mënyrë që derisa i pandehuri ushtronte dhunë mbi bashkëshorten e tij, me rastin e ndërhyrjes së të dëmtuarës për ta ndërprerë dhunën dhe keqtrajtimin fizik, me atë rast i pandehuri fizikisht e sulmon të dëmtuarën – nënën e tij, të cilën e kap për fyti dhe ia shtrëngon fytin, me ç’rast e dëmtuar pëson lëndim të lehtë trupor", thuhet në njoftim.

Gjithashtu, nga të gjitha provat e mbledhura, rezulton se i dyshuari E.F. nuk e ka përfillur vendimin e lëshuar të Gjykatës për nënën e tij, respektivisht urdhërmbrojtjen e lëshuar për shkak të veprës penale të “Dhunës në familje”. /Zëri