Gjykata ia  zëvendëson dënimin të akuzuarit nga i përjetshëm në 30 vjet

Gjykata ia zëvendëson dënimin të akuzuarit nga i përjetshëm në 30 vjet

Kronika January 19, 2021 - 15:44

Një të akuzuari për veprën penale “Vrasje e rëndë” sot Gjykata e Apelit të Kosovës ia ka ulur dënimin nga i përjetshëm në atë prej 30 vjetësh, raporton “Zeri.info”.

“Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit T.L. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, i datës 09.11.2020, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim. Të akuzuarit për shkak të veprës penale ‘Vrasje e rëndë’ nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 dhe 1.6 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënimin më burgim të përjetshëm i është zëvendësuar më atë prej 30 vjetësh burgim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas Gjykatës së Apelit, zëvendësimi i dënimit u bë pasi sipas tyre dënimi ishte i ashpër, pasi i akuzuari kishte pranuar fajësinë.

“Gjykata e Apelit shqyrtoi rrethanat lehtësuese dhe renduese, të cilat i ka pasur parasysh gjykata e shkallës së parë dhe vlerësoi se në rastin konkret dënimi me burgim të përjetshëm është dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat posaçërisht lehtësuese, si pranimi i fajësisë, mosha e re e të akuzuarit, si dhe keqardhja e shprehur nga ana e tij, e të cilat rrethana parashihen në Nenin 70, paragrafin 3, pikën 3.6, 3.10 dhe 3.11 të KPRK-së. Duke u nisur nga këto, Gjykata vlerësoi se edhe më këtë sanksion penal mund të arrihet qëllimi i dënimit, i përcaktuar me ligj”, thuhet në njoftim. /Zëri