UP-ja dhe KPMSHCK-ja paditen për mosrealizim të kompensimit prej 30% për personelin administrativ

UP-ja dhe KPMSHCK-ja paditen për mosrealizim të kompensimit prej 30% për personelin administrativ

Kronika January 19, 2021 - 15:41

Është mbajtur seanca përgatitore në rastin ku anëtarët e personelit administrativ të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po kërkojnë anulimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë të Kosovës (KSHPMSHCK) dhe kompensimin nga Universiteti i Prishtinës.

KPMSHCK-ja përmes vendimeve i kishte hedhur si të palejuara ankesat e tani 18 paditësve, me të cilat ata kishin kërkuar t’u njihet kompensimi prej 30% sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky vendim po kontestohet në konfliktin administrativ, i cili është iniciuar në Departamentin për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Përfaqësuesi i paditësve, avokati Sheremet Ademi, gjatë seancës së kaluar kishte bërë zgjerimin e padisë në aspektin subjektiv, ashtu që përpos KPMSHCK-së si palë e paditur të jetë edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti Ekonomik.

Pas kësaj seanca ishte ndërprerë në mënyrë që palës së paditur, Universitetit të Prishtinës, t’i jepet mundësi për përgjigje në padi.

Sipas njoftimit nga gjykatësi i rastit Hajriz Hoti, e paditura nuk i është përgjigjur ftesës së gjykatës as për seancën e sotme, madje e njëjta as nuk ka dhënë përgjigje në padi.

Duke u bazuar në dispozitat ligjore, gjykatësi Hoti mori aktvendim, me të cilin obligoi të paditurën që brenda 10 ditësh gjykatës t’i japë përgjigje në padi lidhur me pretendimet e paditësve dhe t’ia bashkëngjisë të gjitha provat.

Kjo seancë u shty për datën 19 shkurt 2021, në orën 10:30.

Ndryshe, paditësit përmes padisë së ushtruar më 18 shtator 2018 kishin kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimeve të KPMSHCK-së, me të cilat vendime ishin hedhur poshtë si të palejuara ankesat e tyre lidhur me kompensimin prej 30% sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

KPMSHCK-ja, në vitin 2018, kishte hedhur poshtë si të palejuara ankesat e paditësve, për çka ata i janë drejtuar gjykatës për realizimin e të drejtave të tyre.