Policia jep detaje për vdekjen e të miturit në Prizren

Policia jep detaje për vdekjen e të miturit në Prizren

Kronika January 18, 2021 - 13:15

Një i mitur ka vdekur sot në Prizren pas lëndimeve që ka marrë nga një therje me thikë, e cila ka ndodhur afër një shkolle në ditën e parë të gjysmëvjetorit të dytë.

Policia në rajonin e Prizrenit ka bërë të ditur se sot rreth orës 10:10 në rrugën “Ylber Fanaj” në Prizren ka ndodhur një përleshje mes disa të miturve, ku si pasojë e plagëve të marra nga thika ka vdekur një prej tyre, transmeton “Zeri.info”.

“Më datën 18 janar 2021, rreth orës 10:10, në rrugën ‘Ylber Fanaj’ në Prizren, pas një përleshjeje ndërmjet pese personave të mitur, njëri nga të miturit i dyshimtë e ka goditur viktimën L.B. me mjet të prehtë, përkatësisht thikë, duke i shkaktuar lëndime serioze që për pasojë viktima ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes ka dalë mjeku kujdestar i Emergjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.

Policia dhe prokurori i Shtetit se bashku me Forenzikën kanë dalë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë kryer edhe ekzaminimin e vendit të krimit. Viktima me urdhër të prokurorit dërgohet për obduksion në IML Prishtinë. Rasti është duke u hetuar nga Njësia Hetimeve Rajonale në Prizren. /Zëri