Policia shpall në kërkim një person në Deçan për “Posedim të armëve”
Foto ilustruese

Policia shpall në kërkim një person në Deçan për “Posedim të armëve”

Kronika January 15, 2021 - 09:18

Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Deçan, ka njoftuar se një qytetar në fshatin Prekolluk - Deçan ka postuar një incizim në rrjetet sociale, duke shtënë në ajër me dy pistoleta.

“Pas një pune operativo-hetimore, hetuesit e Stacionit Policor në Deçan kanë identifikuar të dyshuarin, i cili dyshohet se më datën 01.01.2021, rreth orës 00:05, kishte shtënë në ajër me dy pistoleta në oborrin e tij dhe se këtë veprim e kishte incizuar dhe postuar në rrjete sociale. Më datën 14.01.2021, në fshatin Prekolluk - Deçan, hetuesit kanë kryer një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, SH.H., i lindur më 1986”, thuhet në njoftim raporton “Zeri.info”.

Tek i dyshuari, sipas raportit të Policisë, bëhet e ditur se janë gjetur dhe janë konfiskuar: Një pistoletë XDM-9, dy karikatorë të së njëjtës armë dhe njëzet e dy fishekë kal. 9x19 mm, një pistoletë “Ekol” me gaz, një karikator i së njëjtës armë dhe tetë fishekë.

I dyshuari nuk është arrestuar. Sipas Policisë së Shtetit, ai gjendet jashtë vendit.

Megjithëkëtë, në koordinim të plotë me prokurorin e Shtetit është iniciuar rasti “Përdorim i armës ose mjetit te rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”. /Zëri