Pas një zënke mes dy personave në Vushtrri, njëri nga ta përdor armën e zjarrit - arrestohen të dy

Pas një zënke mes dy personave në Vushtrri, njëri nga ta përdor armën e zjarrit - arrestohen të dy

Kronika November 24, 2020 - 22:55

Dy persona janë arrestuar në qytetin e Vushtrrisë pasi që të njëjtit janë përfshirë në një rast ku kishte të shtëna me armë zjarri.

Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti i cili ka thënë se dyshohet se kjo ka ndodhur pas një zënke mes dy të dyshuarve.

Ai tha se nuk raportohet për ndonjë të lënduar, teksa theksoi se gjatë ekzaminimit në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë.

“Në orët e pasdites së sotme në Stacionin Policor në Vushtrri, është raportuar për të shtëna me armë zjarri. Njësitet policore me urgjencë i janë përgjigjur informacionit, me çrast në vendin e ngjarjes kanë arrestuar dy persona të dyshuar si dhe është sekuestruar një armë e llojit pistoletë. Bazuar në hetimet fillestare, ngjarjes dyshohet t'i ketë paraprirë një zënkë ndërmjet dy të dyshuarve, ku më pas njëri nga të dyshuarit ka shtënë në ajër me armë zjarri, ku nga e shtëna me armë nuk raportohet për të lënduar. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes si provë materiale është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë”, tha Zahiti.

Po ashtu, Zahiti ka thënë se veprimet e ndërmarra I janë paraqitur prokurorit të rastit dhe se rasti po hetohet si vepër penale.

“Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku rasti është iniciuar dhe po hetohet si vepër penale mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës dhe përdorim i armës. Pas procedurës së intervistimit, dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, tha ai për “Zërin”.