Policia sekuestron tri vetura në lidhje me rastin e vjedhjes së 2 milionë eurove

Policia sekuestron tri vetura në lidhje me rastin e vjedhjes së 2 milionë eurove

Kronika October 25, 2020 - 12:00

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar tri vetura në Drenas, rast që ka të bëjë me vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Në raportin 24 orësh të PK-së, thuhet se ky sekuestrim ka ndodhur me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Drenas 09.10.2020 – NN. Me 24.10.2020 21:30. Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, janë sekuestruar tri vetura. Rasti është duke vazhduar të hetohet”, ka thënë PK-ja, ndërsa rastin e ka cilësuar si “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, raporton Zeri.info.

Javën e kaluar, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, përmes një konference për media, njoftoi për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Për këtë rast ka nisur një proces gjyqësor ndaj Labinot Grudës, zyrtar në MF, i cili dyshohet t’i ketë realizuar katër transaksione ndaj një kompanie nga Drenasi, në shuma të ndryshme, në total prej mbi 2 milionë eurove.

Ndërkaq, kryeprotagonisti i përmendur në vjedhjen e Thesarit të Shtetit, pronar i kompanisë “LDA – Group”, përmes vëllait të tij, mbrëmjen e së shtunës ka dorëzuar një letër të shkruar me dorë ne redaksinë e Gazetës Express dhe Televizionit T7.

Aty, Shala e përshkruan thjesht këtë histori e cila mund të konsiderohet si skandali më i madh qeveritar në historinë e Kosovës. Shala thotë se thjesht paratë iu transferuan në llogarinë e tij bankare, ndërsa ka menduar se janë para të kompanive që i kanë borxhe atij, ose para që i janë transferuar përmes përmbaruesve. Paralajmëroi se brenda tre ditësh do të dorëzohet ne Polici. /Zëri