Vrau dhe dogji viktimën për një parcelë, të hënën në Ferizaj vazhdon seanca gjyqësore ndaj të pandehurit

Vrau dhe dogji viktimën për një parcelë, të hënën në Ferizaj vazhdon seanca gjyqësore ndaj të pandehurit

Kronika October 23, 2020 - 14:46

Përmes një komunikate për media, Gjykata Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se më datë 26 tetor 2020 (e hënë), duke filluar nga ora 11:00, do të vazhdojë seanca gjyqësore lidhur me rastin e T.L., i akuzuar për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“I pandehuri T.L., sipas Themelores, akuzohet se me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Sh.B., në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqë të njëjtit ishin njohur më parë me rastin e shitblerjes së një parcele në shumën prej 157.000 €, të cilën e kishte blerë i pandehuri nga tani i ndjeri dhe mënyra e pagesës kishte qenë me rata, por meqë nuk kishte arritur t’ia siguronte ratën prej 14,000 €, fillimisht vihet në kontakt me të ndjerin përmes telefonit, duke caktuar takimin se kinse ia kishte siguruar të hollat, pastaj me t’u takuar me të ndjerin nisen në drejtim të fshatit Prelez, me ç‘rast pas një bisede i pandehuri e ndal veturën dhe gjersa tani i ndjeri del nga vetura duke përdorur telefonin e tij, i njëjti e shfrytëzon momentin kur i ndjeri ishte me kokë të kthyer mbrapa, e qëllon një herë në pjesën e pasme të kokës me revolen e tij, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Ndërsa pas aktit të kryer e thërret të pandehurin – vëllain e tij, në mënyrë që ta ndihmojë dhe së bashku shkojnë te vendi i ngjarjes, marrin trupin e të ndjerit dhe e fusin në bagazh të veturës, duke e dërguar në fshatin Kishnapole, komuna Gjilan, e hedhin në një përroskë me qëllim që t’i fshehin provat e veprës penale. Pas kësaj i pandehuri i vetëm shkon te pompa e derivateve, merr një sasi të benzinës dhe kthehet përsëri në vendin ku paraprakisht e kishin hedhur trupin e të ndjerit, me ç’rast e spërkat me benzinë dhe ia vë flakën, më pas përdor telefonin e të ndjerit dhe dërgon SMS babait dhe bashkëshortes së të ndjerit, duke u shkruar në SMS se i ka marrë të hollat dhe është nisur për në Gjilan për ta takuar një person”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. /Zëri