Mitrovicë, në dy aksidente vdesin një 21-vjeçar dhe një 22-vjeçar
Ilustrim

Mitrovicë, në dy aksidente vdesin një 21-vjeçar dhe një 22-vjeçar

Kronika October 23, 2020 - 10:06

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit kanë ndodhur dy aksidente trafiku me fatalitet në komunën e Mitrovicës.

Aksidenti i parë me fatalitet gjatë 24-orëshit të fundit njoftohet të ketë ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 16:00.

“Dje rreth orës 15:50, data 22 dhjetor 2020, nga Qendra Klinike Universitare Prishtinë është raportuar se i lënduari në aksident trafiku, I. D., 22-vjeçar, që ishte në tretman mjekësor, ka ndërruar jetë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

PK-ja ka njoftuar se rasti në fjalë është kualifikuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, asgjësim ose dëmtim i pasurisë”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

Aksidenti ka ndodhur më datën 22 dhjetor 2020, në orën 10:05, në rrugën “Ajet Gërguri” Vushtrri, ku vozitësi ka humbur kontrollin mbi veturën dhe si pasojë ka shkaktuar vetaksident, ndërsa në rastin e dytë ka humbur jetën një 21-vjeçar për shkak të shpejtësisë më të madhe sesa kushtet e rrugës.

“Aksidenti ka ndodhur sot, rreth orës 02:45, në rrugën nacionale Zubin Potok - Mitrovicë, në fshatin Zhabar, ku për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushte të rrugës vozitësi ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka shkaktuar vetaksident.

Si pasojë e aksidentit pasagjeri A.Sh., 21-vjeçar, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa vozitësi dhe dy pasagjerët e tjerë pas marrjes se tretmanit në Spitalin Rajonal Mitrovicë janë liruar në shtëpi”, thuhet në komunikatë.

Rasti është kualifikuar si “Aksident trafiku me fatalitet”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

Hetuesit e Stacionit Policor Vushtrri dhe të Njësisë së Trafikut Rajonal, nën udhëheqjen e prokurorëve të rasteve, janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me aksidentet me pasojë fataliteti. /Zëri