Gjykohet italiani: Ka vrarë gabimisht shqiptarin në vend të serbit

Gjykohet italiani: Ka vrarë gabimisht shqiptarin në vend të serbit

Kronika October 22, 2020 - 14:54

Ai kishte qëlluar një herë me armë përmes derës së bodrumit. Mirëpo mbrapa derës nuk ishte serbi, por A.G.

Alessandro M. iu desh të presë mbi katër vjet për t’u gjykuar. 43 vjeçari italian mendohet se e ka qëlluar dhe vrarë kosovarin 32-vjeçar A. G. në Winznau (Solothurn) në korrik 2016, shkruan “Blick.ch”.

Gjykimi po zhvillohet në gjykatën penale “Olten-Gösgen”.

Në gjykatë të mërkurën janë vendosur masa më të rrepta të sigurisë se zakonisht. Policia ka kontrolluar të gjithë vizitorët me detektor të metaleve, transmeton “Albinfo.ch”.
I akuzuari është siguruar me pranga në duar dhe në këmbë. Arsyeja dihet: Alessandro M. është një person i rrezikshëm. Ai nuk bashkëpunon me autoritetet dhe pa dyshim që përbën një rrezik të sigurisë.

Punëtori i ngjyrosjes së shtëpive qe kapur shpejt pas krimit, transmeton “Albinfo.ch”. Në atë kohë zyra e prokurorit publik në Solothurn kishte deklaruar se hetimet po ecnin mirë, por i akuzuari “në thelb nuk po e pranon veprën”.

Alessandro M. është tani në bankën e të akuzuarve – për vrasje. Veç kësaj, atë e ngarkojnë edhe akuzat për vrasje me dashje, përvetësime, përvetësime të paligjshme dhe shkelje të shumta të Ligjit të Armëmbajtjes.

Ndërsa rrethanat e vrasjes së kosovarit janë kurioze: Alessandro M. ishte ndier i tradhtuar nga një serb, i cili nuk donte të tregonte vendndodhjen e ish të dashurës së tij, përcjell “Albinfo.ch”. Kërkimi i pasuksesshëm e kishte zemëruar aq shumë italianin, saqë ai kishte shkuar për t`u hakmarrë serbit në Winznau.

Ai kishte hyrë në banesë dhe së pari kishte qëlluar një herë me armë përmes derës së bodrumit. Mirëpo mbrapa derës nuk ishte serbi, por A. G. Pasi i akuzuari kishte hapur derën, ai e kishte qëlluar kosovarin përsëri edhe tri herë, transmeton “Albinfo.ch”. Nga gjithsej katër gjuajtje A. G. qe goditur tri në trup dhe një herë në kofshë.

Vetëm pas kësaj i pandehuri supozohet të ketë parë që ai kishte qëlluar personin e gabuar.

Zyra e Prokurorit Publik nuk ka dhënë ndonjë informacion mbi faktet e përmendura.