Infektuar: 40117
Shëruar: 25586
Vdekur: 1026
Vetëvritet një i burgosur në Burgun e Dubravës

Vetëvritet një i burgosur në Burgun e Dubravës

Kronika October 22, 2020 - 08:31

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 22:41 një i burgosur është gjetur i vdekur si pasojë e vetëvarjes në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Në një njoftim për media nga SHKK-ja është bërë e ditur se i burgosuri kishe pasur probleme shëndetësore të natyrës mendore.

“Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të qendrës, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë dhe si pasojë i njëjti ka ndërruar jetë. Sipas raportit mjekësor të Stacionarit, i burgosuri V.H. në vazhdimësi ka pasur probleme shëndetësore të natyrës mendore, për çka është trajtuar në vazhdimësi nga mjeku i burgut, psikiatri, psikologu, si dhe nga specialistët e Klinikës Psikiatrike dhe asaj Forenzike”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Nga SHKK-ja kanë thënë se personi ishte i dënuar për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Vjedhje e rëndë”.

“Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa SHKK-ja ka themeluar Komisionin Hetimor Administrativ. Stafi mjekësor i Stacionarit të Burgut të Dubravës ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin. Autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes”, thuhet më tej në njoftim. /Zëri