Thaçi e sheh ngritjen e mirëqenies së qytetarëve si njërën nga masat e parandalimit të trafikimit
Foto: Laura Hasani

Thaçi e sheh ngritjen e mirëqenies së qytetarëve si njërën nga masat e parandalimit të trafikimit

Kronika October 19, 2020 - 10:56

Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se duhet punuar në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, në mënyrë që të mos bien pre e trafikimit.

Ai në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka thënë se Kosova si shtet i ri ka krijuar infrastrukturë ligjore për ndalimin dhe rehabilitimin e qenieve njerëzore.

Ai po ashtu ka përmendur gatishmërinë e Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare në luftimin e kësaj dukurie, duke shutuar se vetëm me bashkëpunim mund të luftohet kjo dukuri.

“Duhet të punojmë që të krijomë kushte më të mira për qytetarët tanë, që të kenë jetë më të mirë, në mënyrë që qytetarët të mos të bëhen pre e trafikimit”, tha Thaçi.

Ai ka falënderuar shtetet e BE-së për ndihmën që kanë dhënë për Kosovën për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, duke shtuar se bashkëpunimi me ta është i rëndësishëm.

“Duhet të mbesim të përkushtuar që qytetarët tanë duhet të jetë të mbrojtur me infrastrukturë ligjore. Ftoj të gjitha institucionet përkatëse që në bazë të detyrave të tyre kushtetuese të jenë në nivel të detyrës, që të parandalojmë këtë dukuri”, është shprehur Thaçi. /EO