Infektuar: 18148
Shëruar: 15150
Vdekur: 666
Arrestohen tre persona për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit

Arrestohen tre persona për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit

Kronika October 16, 2020 - 14:15

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, ka njoftuar se pas pranimit të një informate lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi, që në vazhdimësi merrej me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit, më datën 15 tetor 2020, ka ndërmarrë një operacion policor në rajonin e Prishtinës dhe të Drenasit, ku janë përfshirë pesë lokacione të ndryshme.

Sipas Policisë, ky operacion policor ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar dhe ushtrimin e kontrollit në lokalet ku është zhvilluar kjo veprimtari e kundërligjshme.

Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë: D. E., i lindur më 1985-n, A. E., i lindur më 1986-n, A. F., i lindur më 1998-n.

Ndërsa si prova materiale janë sekuestruar 14 aparate të lojërave të fatit, dy lojëra KENO, një lojë me qen, një shtëpizë kompjuteri, një DVR, 1477 euro, dy armë zjarri, 10 fishekë kalibrash të ndryshëm, 7.7 gramë substancë e dyshuar narkotike (kokainë), një telefon celular, katër komplete letra dhe zare pokeri.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore. /Zëri