Infektuar: 17139
Shëruar: 14787
Vdekur: 657
Policia e Kosovës bashkë me FBI-në arrestojnë tre persona për krime kibernetike

Policia e Kosovës bashkë me FBI-në arrestojnë tre persona për krime kibernetike

Kronika September 17, 2020 - 12:18

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për krime kibernetike në Prishtinë.

“Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike në Policinë e Kosovës, pas një hetimi të gjatë dhe në bashkëpunim me autoritetet e SHBA-së, konkretisht me FBI-në, si dhe në mbështetje të Prokurorit të Shtetit – PTT Prishtinë, më datën 16.09.2020, pas marrjes së veprimeve hetimore dhe operuese, ka arrestuar tre (3) persona të dyshuar se kanë kryer veprën penale ‘Hyrje në sistem kompjuterik’”, thuhet në njoftimin e PK-së, transmeton “Zeri.info”.

Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit ishin pjesë e një grupi hakerësh, ata shënjestronin platforma të ndryshme online, të cilat posedonin të dhëna kompjuterike të ndjeshme.

“Pastaj në bashkëveprim me njëri-tjetrin përmes sistemeve kompjuterike kanë krijuar një platformë online, e qasshme vetëm në DARKWEB (DARKWEB ka të bëjë me internetin e fshehur, i cili përdoret për qëllime të paligjshme) dhe përmes saj është kryer veprimtari e paligjshme kibernetike. Në këtë platformë të dyshuarit në vazhdimësi kanë vendosur dhe shitur të dhëna të ndryshme elektronike, të cilat paraprakisht i kanë siguruar përmes veprimeve të paligjshme online, si kredit-kartela të vjedhura në shumë shtete të botës, viruse të ndryshme kompjuterike, ‘mjete’ për sulme kibernetike, e-mail adresa dhe fjalëkalime, numra të telefonit, si dhe të dhëna tjera. Këto të dhëna dhe ‘mjete’ kanë mundësuar edhe kryerjen e veprimtarive tjera kriminale”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit e arrestuar janë:

- E. J., 1998;

- Ç. B., 1998;

- V.S., 1996.

Janë kontrolluar dy lokacione dhe në cilësinë e provave janë sekuestruar:

- Shtatë shtëpiza kompjuteri;

- Tre kompjuterë llaptopë;

- Katër hard-disqe;

- Shtatë telefona mobilë;

- Pesë USB memorie;

- Dy mikro SD memorie;

- Para të gatshme – 2625 euro;

- Dokumentacione të ndryshme.

Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore. /Zëri